Lajm i mirë nga Brukseli: BE vendos heqjen e masave ndaj Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë një lajm të rëndësishëm për vendin pak para mesnatës së mbrëmshme, nga Samiti BE–Ballkani Perëndimor që u mbajt në Bruksel.
Presidentja Osmani tha se pas takimeve intensive dhe diskutimeve me liderët e Bashkimit Evropian, është marrë vendimi për heqjen e masave të vendosura ndaj Kosovës, të cilat Presidentja Osmani i ka cilësuar si të padrejta.
Ky vendim shënon një hap të rëndësishëm përpara në raportet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, si dhe një vlerësim konkret të angazhimit institucional të vendit.
Sipas njoftimit të Presidentes, një pjesë e madhe e masave do të hiqen që sot, ndërsa pjesa tjetër pritet të hiqet në fund të muajit janar.
“Pas diskutimeve me partnerët tanë u mor vendimi që t’i hiqen të gjitha masat ndaj Kosovës, ku një pjesë e madhe hiqet sot, ndërsa pjesa tjetër në fund të janarit,” ka deklaruar Osmani.
Ajo ka falënderuar liderët e Bashkimit Evropian dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë për vlerësimin e angazhimit të Kosovës, duke theksuar se ky vendim është rezultat i punës së palodhur dhe përkushtimit për dialog, stabilitet dhe vlera demokratike.
Heqja e masave pritet të ketë ndikim pozitiv në zhvillimet politike, ekonomike dhe integruese të Kosovës, duke hapur rrugë të reja për bashkëpunim më të ngushtë me Bashkimin Evropian.