Alban Hyseni takon Shoqatën e Peshkatarëve, premton ndriçim publik dhe vendosje të kamerave tek Liqeni i Livoqit

Kandidati për kryetar të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, zhvilloi sot një takim me Shoqatën e Peshkatarëve tek Liqeni i Livoqit. Në këtë takim u diskutua rëndësia e investimeve që Komuna ka realizuar gjatë mandatit të parë, si dhe projektet e planifikuara për mandatin e dytë të qeverisjes lokale.
Në fokus të bisedimeve ishin përmirësimi i infrastrukturës në zonën e liqenit, duke përfshirë ndriçimin publik dhe vendosjen e kamerave për siguri më të madhe, si dhe ruajtja e pastërtisë dhe qasjes më të lehtë drejt liqenit për qytetarët.
Alban Hyseni theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me komunitetin dhe shoqatat lokale:
“Liqeni i Livoqit, njëra nga bukuritë e mëdha të komunës sonë, gjithherë na ka bërë bashkë. Shtegu i ecjes, qasja më e lehtë drejt liqenit, pastrimi i zonës bashkë me aktivistë e qytetarë, e së shpejti edhe ndriçimi dhe kamerat, do ta transformojnë këtë zonë. Do të vazhdojmë ta ruajmë Liqenin e Livoqit, që të mbetet gjithmonë vend i bukur, i pastër dhe i dashur për qytetarët tanë”, shkruan Hyseni në postimin e tij në Facebook.
Në takim ishin të pranishëm gjithashtu kandidatët për Asamble Komunale, Bajram Isufi dhe Hekuran Rapuca, si dhe drejtori për Zhvillim Ekonomik, Enver Shabani. Bisedimet u fokusuan në nevojën për të vazhduar investimet në zonën e liqenit, duke e bërë atë një hapësirë më të sigurt dhe më të aksesueshme për të gjithë qytetarët.