Dimal Basha në fokus të mbledhjes së LVV-së – përmendet nga Kurti e Nagavci, por jo nga Konjufca

Dimal Basha në fokus të mbledhjes së LVV-së – përmendet nga Kurti e Nagavci, por jo nga Konjufca

Mbledhja e djeshme e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ku Albin Kurti u votua unanimisht si kandidat për kryeministër të ardhshëm, solli në vëmendje një detaj që nuk kaloi pa u vërejtur: “harresa” e nënkryetarit të LVV-së, Glauk Konjufca, për ta përmendur kryetarin aktual të Kuvendit, Dimal Basha.

Basha, i cili mori pjesë në mbledhje jo vetëm si delegat dhe deputet i partisë, por edhe si kryetar i Kuvendit të Kosovës, u përmend qartësisht nga kryetarja e Këshillit të Përgjithshëm, Arbërie Nagavci, gjatë hapjes së punimeve, si dhe nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në fjalimin e tij hyrës.

Nagavci e listoi Bashën mes personaliteteve të pranishme, duke e nderuar me referencën si udhëheqës i legjislativit. Po ashtu, Kurti, pasi mori fjalën, e vendosi kryeparlamentarin në mesin e të parëve që e përmendi, menjëherë pas Konjufcës dhe drejtuesve të tjerë të lartë të partisë.

Megjithatë, kur erdhi radha e Glauk Konjufcës për ta propozuar Kurtin për votim, ai përmendi një listë të gjatë emrash – nga nënkryetarët e LVV-së e deri te përfaqësuesit e partive partnere në koalicion – por pa e përfshirë Bashën, pasardhësin e tij në karrigen e kryetarit të Kuvendit.

Ky detaj ka nxitur diskutime në opinion politik, duke u parë nga disa si një lëshim i rastësishëm, e nga të tjerë si një shenjë simbolike e rivaliteteve të brendshme.

Në fund, Kurti mori mbështetjen e plotë të delegatëve, duke u propozuar për mandatin e tij të radhës si kryeministër, ndërsa momenti i “harresës” së Konjufcës mbeti një nga episodet më të komentuara të mbledhjes.