Dua Lipa & Chaka Khan ndezin skenën me një super performancë në Çikago

Dua Lipa ka sjellë një surprizë të paharrueshme për fansat e saj gjatë turneut botëror “Radical Optimism” në SHBA.
Të premten, artistja me prejardhje nga Kosova dhe një nga yjet më të mëdha të muzikës pop, ndezi skenën e United Center në Çikago me një koncert dy-netësh, duke interpretuar 22 këngë nga repertori i saj, përfshirë hitet e albumit më të fundit “Radical Optimism”.
Kryemomenti i mbrëmjes ishte kur Dua Lipa mirëpriti në skenë legjendën e muzikës, Chaka Khan. Dy artistet dhuruan një performancë spektakolare të këngës klasike të vitit 1983, “Ain’t Nobody”, duke ngritur publikun në këmbë.
Nuk është hera e parë që Lipa ndan skenën me emra ikonë gjatë këtij turneu. Më herët, ajo ka performuar me Neil Finn të Crowded House në Zelandën e Re dhe me Jamiroquai në Londër, duke dëshmuar aftësinë e saj për të sjellë bashkëpunime të jashtëzakonshme.
Pas suksesit të madh në Evropë, Lipa ka nisur pjesën amerikane të turneut në Toronto dhe pas Çikagos do të udhëtojë në qytete të tjera si Bostoni, Atlanta, Nju Jorku, Miami, Dallasi, Los Anxhelosi, San Francisko dhe Seattle.
Albumi “Radical Optimism”, i publikuar vitin e kaluar, është projekti i tretë në studio i këngëtares dhe debutoi në vendin e dytë të Billboard 200. Nga ky album kanë dalë hite të mëdha si “Houdini”, që qëndroi 17 javë në krye të listës Hot Dance/Electronic Songs.
Turneu global i Duas, i nisur në nëntor 2024, po mbledh mijëra fansa në çdo kontinent, duke e konfirmuar edhe njëherë statusin e saj si një ndër artistet më të rëndësishme të muzikës botërore sot.