Bukuria e egër e Kosovës dhe rrëfimi i Uta Ibrahimit në The Guardian

Bukuria e egër e Kosovës dhe rrëfimi i Uta Ibrahimit në The Guardian

Gazeta britanike The Guardian i ka kushtuar një artikull të veçantë maleve të Kosovës dhe shtegut malor Via Dinarica, duke i përshkruar si një kombinim unik të bukurisë natyrore dhe historisë së afërt të luftës.

Në këtë reportazh, autori Stuart Kenny sjell përvojën e tij në Bjeshkët e Nemuna, duke vizituar fshatrat malore, guesthouse-et tradicionale dhe duke përshkruar mikpritjen e banorëve. Ai nënvizon se pjesa kosovare e Via Dinarica, e hapur në vitin 2015 dhe e rilançuar rishtazi me mbështetje ndërkombëtare, ofron peizazhe mahnitëse, biodiversitet të rrallë dhe kujtime të historisë së dhimbshme të Kosovës.

Në qendër të rrëfimit është Uta Ibrahimi, alpinistja dhe guida malore që ka ngjitur të gjitha 14 majat mbi 8,000 metra në botë, përfshirë Everestin dhe Kanchenjunga. “Do të doja që gurët këtu të flisnin,” thotë ajo për The Guardian, duke shpjeguar se ecja në këto shtigje është një mënyrë për ta përjetuar edhe të kaluarën, edhe natyrën e paprekur.

Reportazhi përshkruan gjithashtu simbolet e luftës së UÇK-së përgjatë shtegut, biodiversitetin me arinj, ujq dhe risin e rrezikuar të Ballkanit, si dhe bukurinë e qetë të Gjeravicës, majës më të lartë të Kosovës.

“The Guardian” e prezanton Kosovën si një destinacion të pazbuluar evropian për adhuruesit e aventurës dhe natyrës, ku – siç thotë Uta – “njerëzit duan qetësi, pa rrugë, super të egër. Është këtu për t’u eksploruar.”