Universiteti i Prishtinës hap dyert për Shkollën Dimërore “Warm UP”

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” po shënon një moment të ri në zhvillimin akademik me themelimin e Shkollës Dimërore “Warm UP”. Nisma, e cila synohet të bëhet tradicionale dhe të jetë pjesë e kalendarit të rregullt akademik, vjen si një platformë e re për avancimin e kërkimit shkencor dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Edicioni i parë i Shkollës Dimërore “Warm UP – Winter Academy of Research Methods” do të mbahet nga 25 deri më 27 shkurt 2026. Gjatë këtyre tre ditëve, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të ndjekin ligjërata dhe punëtori të përbashkëta të profesorëve të Universiteti i Prishtinës dhe të Universiteti i Luksemburgut.
Shkolla Dimërore “Warm UP” është konceptuar si një pikëtakim akademik ku bashkohen studiuesit me përvojë dhe ata që sapo kanë nisur rrugëtimin shkencor. Përmes sesioneve të ndryshme, fokusi do të jetë në zhvillimin e studimeve të doktoratës dhe përmirësimin e metodave të kërkimit shkencor.
Programi i akademisë do të trajtojë tema të rëndësishme si praktikat më të mira për dizajnimin e programeve të doktoratës, sfidat e studimeve të doktoratës, si dhe financimin e kërkimit shkencor. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet orientimit të programeve doktorale për t’iu përgjigjur sfidave shoqërore, politikave publike dhe nevojave të industrisë moderne. Gjithashtu, gjatë këtij edicioni do të diskutohet edhe zhvillimi i programeve të doktoratës në UP.
Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit do të jetë kolokiumi doktoral, ku studentë të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike do të prezantojnë punën e tyre kërkimore. Në këtë kolokium do të marrin pjesë edhe studentë që kanë qëndruar në Qendra SnT e Universitetit të Luksemburgut, duke ndarë përvojat dhe rezultatet e punës së tyre shkencore.
Nisma “Warm UP” mbështetet nga partnerë ndërkombëtarë. Këtë vit, shkolla dimërore financohet nga Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor dhe nga Ambasada e Luksemburgut në Kosovë, në kuadër të bashkëpunimit akademik dhe zhvillimor.
Ky publikim realizohet në kuadër të projektit “Shkathtësitë për punësim të qëndrueshëm në Kosovë”, i financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe i implementuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në bashkëpunim me LuxDev.
Organizatorët theksojnë se përmbajtja e publikimit është përgjegjësi e vetme e Universitetit të Prishtinës dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Dukatit të Madh të Luksemburgut.
Shkolla Dimërore “Warm UP” pritet të krijojë një hapësirë të re për shkëmbim njohurish, zhvillim akademik dhe forcim të kërkimit shkencor në Kosovë, duke synuar ndërtimin e një tradite të qëndrueshme universitare në të ardhmen.