Nga Korça në Francë: kultura shqiptare pushton Shamberinë në vitin 2026

Nga Korça në Francë: kultura shqiptare pushton Shamberinë në vitin 2026

Kultura shqiptare do të jetë kryefjalë e jetës artistike në qytetin Shamberi të Francës gjatë vitit 2026. Falë partneritetit të krijuar që nga viti 2022 mes Shamberisë dhe Korçës, qyteti francez do t’i kushtojë një program të veçantë artit, muzikës dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.

Një nga ngjarjet më të rëndësishme të këtij viti kulturor do të jetë ekspozita “Ikona të Shqipërisë”, e cila do të hapet nga maji deri në nëntor në Muzeun e Arteve të Bukura të Shamberisë. Ekspozita do të sjellë për publikun francez 45 vepra arti të rralla nga shekujt XIV deri në XX, pjesë e fondit të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës.

Përveç ekspozitës, programi përfshin konferenca në kuadër të Muajit të Evropës, pjesëmarrjen e artistëve shqiptarë në Tregun e Kontinenteve dhe Festivalin e Kulturave Botërore, si dhe projekte të përbashkëta artistike e teatrore që lidhin të rinj dhe profesionistë nga të dy vendet.

Lidhja mes Korçës dhe Francës është e thellë dhe historike. E njohur si “Parisi i Vogël”, Korça ka qenë për dekada një qendër e rëndësishme frankofone dhe kulturore. Kujtesa e Liceut Francez, djep i elitave shqiptare mes dy luftërave botërore, po ringjallet sot përmes hapjes së liceut të ri franko-shqiptar – një projekt që sheh nga e ardhmja, por mbështetet fuqishëm në trashëgiminë e përbashkët kulturore.