Sonte ndahen çmimet e “KultStrofa” 2025: Finalistët e poezisë shqiptare në skenë

Mbrëmja finale e edicionit të tetë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa” mbahet sonte, më 15 dhjetor, nga ora 19:00, në KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë.
Ky konkurs organizohet nga gazeta online për art dhe kulturë, KultPlus, dhe ka për qëllim promovimin e krijimtarisë poetike shqiptare nga të gjitha trojet.
Për këtë edicion janë aplikuar 151 poetë nga vende të ndryshme të rajonit dhe më gjerë. Gjatë mbrëmjes finale do të lexohen poezitë e dhjetë finalistëve, ndërsa më pas do të ndahen edhe tre çmimet kryesore të këtij konkursi.
Juria e këtij edicioni përbëhet nga Dije Demiri, profesoreshë dhe poete e njohur, që shërben edhe si kryetare e jurisë, si dhe Liridon Mulaj dhe Arjola Zadrima, të dy poetë shumë të suksesshëm dhe me përvojë në fushën e letërsisë.
Ardianë Pajaziti, drejtoresha e KultPlus, ka shprehur kënaqësinë për cilësinë e lartë të pjesëmarrësve këtë vit. “Prej edicionit të parë, ky konkurs ka pasur prurje të jashtëzakonshme kreative. Ky edicion vetëm e konfirmon që KultStrofa mbetet një nga konkurset më serioze dhe më të respektuara të krijimtarisë poetike shqiptare,” ka thënë ajo.
Mbrëmja finale e “KultStrofa” premton një atmosferë të veçantë poetike, ku leximet dhe emocionet e krijuara nga finalistët do të jenë qendra e vëmendjes së publikut dhe dashamirësve të poezisë.