Mirëqenia sociale në fokus: Planet konkrete të Riad Rashitit dhe PDK-së

Me vetëm dy ditë që ndajnë qytetarët nga dita e zgjedhjeve komunale, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Gjilanit, Riad Rashiti, thekson se angazhimi i tij nuk do të mbetet në premtime, por do të shoqërohet me masa konkrete që adresojnë nevojat reale të qytetarëve.
Rashiti nënvizon se prioritet do të jenë krijimi i mundësive për të gjithë, me fokus të veçantë tek kategoritë në nevojë, fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuar.
Programi i PDK-së synon të ofrojë mbështetje të qëndrueshme, duke përfshirë masa financiare, asistencë institucionale dhe qasje të drejtpërdrejtë në shërbime sociale dhe edukative.
Disa nga masat kyçe që propozon programi i PDK-së përfshijnë:
- Funksionalizimi i ‘Fshatit të Lumtur’ dhe ndërtimi i shkollës burimore regjionale.
- Subvencionimi i fëmijëve me aftësi të kufizuar (nën 18 vjet) – 100 euro çdo muaj, dhe mbështetje financiare për nënat e tyre – 200 euro çdo muaj.
- Krijimi i fondeve emergjente për nevoja të papritura të rasteve nën menaxhim nga QPS.
- Sigurimi i pajisjeve shkollore, veshmbathjeve dhe nevojave bazë për fëmijët e familjeve përfituese të asistencës.
- Subvencionimi i familjeve strehuese dhe nënave vetushqyese, si dhe rritja e fondit për mbështetje me pako ushqimore për përfituesit e asistencës sociale.
- Nxitja e punësimit për personat me aftësi të kufizuar dhe qasje e përmirësuar në informacion për personat e shurdhër.
- Forcimi i bashkëpunimit mes qendrave për punë sociale, prindërve, kujdestarëve dhe shkollave.
- Krijimi i task-forcave profesionale për ndihmë psiko-sociale për fëmijët në konflikt me ligjin dhe përdoruesit e substancave psiko-aktive.
- Vëmendje institucionale e përhershme për viktimat e trafikimit, krimeve seksuale, dhunës në familje, të moshuarve pa përkujdesje dhe kategorive të tjera në gjendje të nevojës sociale.