Kori i Grave “Muza” sjell koncertin artistik “Divat e Muzikës Shqipe”

Kori i grave “Muza” po përgatitet për një koncert të veçantë dhe emocionues, kushtuar grave që kanë lënë gjurmë të paharrueshme në historinë dhe traditën muzikore shqiptare.
Në përbërje me 35 anëtare dhe me dirigjente Albina Jakupi, kori do të prezantojë repertorin e veçantë artistik ‘Divat e Muzikës Shqipe’, duke nderuar gratë që, me talentin dhe shpirtin e tyre të lirë, sfiduan normat e një kohe të dominuar nga patriarkati..
“Ju ftojmë me zemër në këtë koncert kushtuar ‘Grave – Diva’ shqiptare, të cilat me guxim dhe art sfiduan kohën dhe lanë gjurmë të pashlyeshme në kulturën tonë. Ato u bënë zëri i grave përmes muzikës dhe këngës, duke frymëzuar brez pas brezi,” thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Koncerti do të përfshijë 10 këngë të divave më të shquara shqiptare, duke krijuar një atmosferë magjike që rikthen të kaluarën dhe frymëzon sot.
Secili interpretim është një udhëtim në kohë, ku muzika dhe arti bashkohen për të kremtuar talentin, pasionin dhe guximin e grave.
Ngjarja kulturore do të zhvillohet më 13 dhjetor 2025, nga ora 18:00, në Teatrin e Qytetit të Gjilanit.
Një mbrëmje që premton emocione, bukuri artistike dhe një përjetim të veçantë të trashëgimisë muzikore shqiptare.
Hyrja është falas për të gjithë.