Distria Krasniqi shkëlqen në Zagreb – fiton medaljen e artë në Grand Prix dhe dominon kategorinë deri në 52 kg

Distria Krasniqi shkëlqen në Zagreb – fiton medaljen e artë në Grand Prix dhe dominon kategorinë deri në 52 kg

Xhudistja kosovare Distria Krasniqi ka shkruar edhe një faqe të artë në karrierën e saj. Në Grand Prixin e Zagreb 2025, ajo u ngjit në majën e podiumit duke fituar medaljen e artë pas një finaleje të fuqishme kundër hungarezes Reka Pupp, të cilën e mposhti me një Ippon të pastër dhe plot stil.

Kjo medalje shënon të parën të artë për Kosovën në këtë edicion të Grand Prix-it, ndërsa pritjet mbeten të larta edhe për xhudisten tjetër kosovare, Flaka Loxha, e cila garon më vonë.


Rrugëtimi i artë i Krasniqit në Zagreb

Krasniqi, një ndër xhudistet më të forta në botë në kategorinë -52 kg, e nisi garën me automatizëm, duke kaluar raundin e parë pa luftë falë rangimit të lartë ndërkombëtar.

Në vazhdim dominoi bindshëm:

  • Raundi i dytë: Ippon kundër brazilianes Amanda Lima
  • Çerekfinale: Fitore me Ippon ndaj francezes Pont Blandine
  • Gjysmëfinale: Një tjetër Ippon ndaj italianes Gaia Stella
  • Finale: Mposht hungarezen Reka Pupp me një Ippon të shkëlqyer

Ishte e qartë nga fillimi se Krasniqi kishte ardhur për të marrë vetëm një rezultat – të artën. Me agresivitet, teknikë të pastër dhe vendosmëri të hekurt, ajo nuk la asnjë hapësirë për surpriza.