“Netët e Filmit Shqiptar” sjell në Prishtinë “Kur po xhirohej një film” kryeveprën e Xhanfise Kekos

Programi “Netët e Filmit Shqiptar” vazhdon rrugëtimin e tij në Prishtinë, duke sjellë një tjetër perle të kinemasë shqiptare për publikun kosovar. Më 3 nëntor, në Kino Armata, nga ora 19:00, do të shfaqet versioni i restauruar i filmit “Kur po xhirohej një film” (1981), i realizuar nga regjisorja e njohur Xhanfise Keko, një nga figurat më të dashura dhe më me ndikim në historinë e kinemasë shqiptare.
Filmi trajton me ndjeshmëri një temë sociale që mbetet aktuale edhe sot — dinamikat familjare dhe ndikimi i tyre tek fëmijët. Në qendër të historisë është Genti i vogël, i cili përballet me ndarjen e prindërve të tij, Liljanës dhe Kujtimit, si pasojë e pikëpamjeve të ndryshme ideologjike. Përmes syve të tij, Keko ndërthur realitetin e xhirimeve me jetën reale, duke krijuar një pasqyrë të ndjeshme dhe poetike të botës së fëmijëve.
Një nga pionieret e kinemasë shqiptare, Xhanfise Keko njihet për qasjen e saj unike ndaj filmave për fëmijë dhe për aftësinë për t’i dhënë zë pafajësisë dhe imagjinatës në një kohë kur arti ishte i kufizuar nga ideologjia e regjimit. Në vitet ’70 dhe ’80, ajo realizoi 11 filma artistikë, shumë prej të cilëve u shfaqën në Itali, Francë, Brazil, Spanjë, Greqi, Turqi e më gjerë — një arritje e rrallë për kohën.
Filmi do të shfaqet me titra në gjuhën angleze, duke e bërë të qasshëm edhe për publikun ndërkombëtar që frekuenton hapësirën e Kino Armatës.
Cikli “Netët e Filmit Shqiptar”, i organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit dhe Kino Armatën, sjell çdo muaj filma të zgjedhur nga autorë të mëdhenj si Dhimitër Anagnosti, Saimir Kumbaro, Fehmi Hoshafi dhe Muharrem Fejzo.
Qëllimi i këtij programi është rikthimi i trashëgimisë filmike shqiptare tek publiku kosovar dhe afrim i brezave të rinj me filma që bartin vlera të forta kulturore e artistike. Projekti do të vazhdojë deri në nëntor 2025, duke ofruar një seri shfaqjesh që ndriçojnë historinë e kinemasë shqiptare dhe identitetin tonë kombëtar përmes artit.
Hyrja është falas, por vendet janë të kufizuara – prandaj kërkohet konfirmimi i pjesëmarrjes deri më 3 nëntor 2025, në ora 16:00.
Një mbrëmje që premton nostalgji, reflektim dhe dashuri për kinemanë shqiptare – në zemër të Prishtinës, në ekranin e Kino Armatës.