“TirANA”: Kandidatja e parë për bashki me Inteligjencë Artificiale

“TirANA”: Kandidatja e parë për bashki me Inteligjencë Artificiale

Denisa Kele, Tomi Kallanxhi dhe Besmir Semanaj prezantuan të martën TirANA (Tirana Algorithmic Neural Assistant), kandidaturën e parë për zgjedhjet vendore të bazuar mbi Inteligjencën Artificiale. Projekti i referohet precedentit të krijuar nga Kryeministri Edi Rama me “ministren virtuale” Diella, e cila ofron shërbime online për qytetarët.

Sipas autorëve, pas TirANAs qëndron një ekip ekspertësh nga fusha të ndryshme që synon një qasje të re në qeverisjen e Tiranës, bazuar mbi transparencë, efikasitet dhe llogaridhënie. Besmir Semanaj thekson se nisma shërben për të testuar kufijtë ligjorë dhe mundësinë e regjistrimit të një entiteti digjital si kandidat, me synimin për të krijuar precedent ligjor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se çdo shqyrtim bëhet vetëm pas aplikimit zyrtar dhe se të drejtën për t’u regjistruar e kanë vetëm shtetasit shqiptarë që plotësojnë kriteret ligjore.

Një nga diferencat kyçe midis TirANAs dhe Diellës është transparenca: çdo qytetar mund të shohë kodin, burimet e të dhënave dhe funksionimin e algoritmit, duke krijuar një shembull për qeverisje të hapur dhe të kontrollueshme. TirANA sfidon jo vetëm teknologjinë, por edhe kuadrin ligjor, duke hapur diskutime mbi të ardhmen e inovacionit dhe transparencës në politikë.