Më 11 tetor përfundon afati i votimit me postë për shtetasit e Kosovës jashtë vendit

Më 11 tetor përfundon afati i votimit me postë për shtetasit e Kosovës jashtë vendit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njofton se më 11 tetor 2025 përfundon periudha e votimit me postë për shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit. Ky njoftim vlen për qytetarët që janë regjistruar për të votuar në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.

Procesi i votimit me postë për këtë kategori votuesish ka nisur më 17 shtator dhe përfshin gjithsej 43,933 qytetarë të regjistruar me sukses jashtë Kosovës.

Të gjithë votuesit e regjistruar jashtë vendit duhet të sigurohen që të dërgojnë pakot e tyre me fletëvotime deri më 11 tetor, duke i hedhur ato në njërën nga kutitë postare të KQZ-së.

Për të lehtësuar procesin, KQZ ka vendosur kuti postare në vendet ku ka votues të regjistruar, përfshirë: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut, Mbretëri e Bashkuar, Norvegji, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.

KQZ thekson rëndësinë e përfundimit të votimit brenda afatit për të garantuar që çdo votë e regjistruar jashtë Kosovës të llogaritet në mënyrë të rregullt.