Veshjet kombëtare shqiptare shkelqejnë për herë të parë në Oktoberfest

Veshjet kombëtare shqiptare shkelqejnë për herë të parë në Oktoberfest

Më 21 shtator 2025, një copëz e pasur e traditës shqiptare do të shkëlqejë në zemër të Mynihut. Për herë të parë në historinë e saj, kultura dhe veshjet tradicionale shqiptare do të prezantohen në parakalimin madhështor të Oktoberfest-it, Trachten- und Schützenzug, një nga ngjarjet më të mëdha folklorike dhe kulturore të Evropës.

Ky moment historik u bë realitet falë pasionit dhe angazhimit të Shoqatës “Iliria München”, me mbështetjen e Republikës së Kosovës. Përmes këtij prezantimi, komuniteti shqiptar ka mundësinë të shpalosë rrënjët e tij, të tregojë historinë dhe traditat që bartin shekuj të tërë dhe të ndriçojë trashëgiminë kulturore përpara mijëra pjesëmarrësve dhe miliona shikuesve në mbarë botën.

Pjesëmarrësit do të marshojnë me kostumet kombëtare shqiptare, duke sjellë një spektakël ngjyrash, motive dhe simbole që flasin për krenarinë dhe identitetin tonë. Ky prezantim është më shumë se një përfaqësim – është një festë e kulturës shqiptare dhe një shenjë e fortë e pranisë së saj në skenën ndërkombëtare.

“Është një ditë historike dhe shumë e veçantë, jo vetëm për Shoqatën tonë, por për të gjithë komunitetin shqiptar. Bashkimi dhe mbështetja e të gjithëve na gëzon dhe na bën krenarë,” thekson Shoqata “Iliria München”.

Ky parakalim do të mbahet mend si një kapitull i ri në historinë e shqiptarëve në diasporë, ku tradita, ngjyrat dhe muzika jonë bashkohen me atmosferën magjike të Oktoberfest-it.