Futbolli i Kosovës në përkrahje të fushatës kundër dhunës me bazë gjinore

Futbolli i Kosovës në përkrahje të fushatës kundër dhunës me bazë gjinore

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) dhe klubet e Albi Mall Superligës i janë bashkuar fushatës ndërkombëtare “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, duke dhënë mbështetjen e tyre për ndërgjegjësimin dhe parandalimin e çdo forme dhune ndaj grave dhe vajzave.

Në një postim në Facebook, FFK thekson:
“Mos ta quajmë xhelozi, zemërim, nervozë apo gabim – quhet DHUNË. Nuk ka asnjë justifikim. Bashkë kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave. Ajo duhet të ndalet. Gjithmonë. Për çdo grua, çdo ditë. Stop dhunës ndaj grave e vajzave!”.

Lojtarët u panë në fushë me shenja të kuqe në faqet e fytyrës, duke zhvilluar lojën si simbolikë kundër dhunës me bazë gjinore.

Fokus i fushatës këtë vit është dhuna digjitale me bazë gjinore. Komente, mesazhe apo shantazhe online që shpesh konsiderohen të padëmshme, në fakt ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë dhe mirëqenien e grave dhe vajzave. Shpërndarja pa leje e materialeve personale, ngacmimet dhe kërcënimet në hapësirën virtuale lënë pasoja të mëdha në jetën e tyre.

Fushata bën thirrje për njohjen dhe adresimin e dhunës online, duke synuar mbrojtjen e të drejtave, sigurinë dhe pjesëmarrjen aktive të grave. Në Kosovë, ajo zhvillohet nga UN Ëomen, Ministria e Drejtësisë, OSCE dhe entitete të tjera partnere.

Geg FM Radio është pjesë e kësaj iniciative, duke transmetuar audio-kampanjën sensibilizuese dhe duke ftuar publikun të bashkohet në eliminimin e dhunës digjitale me bazë gjinore. Kjo kampanjë mbështetet nga Zyra e OSBE-së në Gjilan.