GEG.FM
Po lidhet…

“Free” bëhet libri i radhës në Service95 Book Club, duke sjellë para mijëra lexuesve rrëfimin e një shqiptareje mbi diktaturën, tranzicionin dhe kuptimin e lirisë.
Disa histori nuk mbeten vetëm brenda faqeve të një libri. Ato hapin biseda, rikthejnë kujtesën dhe ndihmojnë breza të tërë të kuptojnë më mirë të kaluarën. Pikërisht një histori të tillë ka zgjedhur Dua Lipa për leximin e radhës në Service95 Book Club. Bëhet fjalë për "Free", librin autobiografik të shkrimtares dhe akademikes shqiptare Lea Ypi, një vepër që është vlerësuar ndërkombëtarisht për mënyrën e ndershme dhe njerëzore me të cilën rrëfen jetën në Shqipëri gjatë komunizmit dhe vitet e para të tranzicionit.
Në prezantimin e librit, Dua Lipa shpjegon se rrëfimi nis kur Lea Ypi ishte vetëm 11 vjeçe, në momentin kur regjimi komunist në Shqipëri po shembej. Deri atëherë, ajo e kishte parë botën ashtu siç ia kishte mësuar sistemi. Përmes syve të një fëmije, autorja përshkruan një vend të izoluar, ku edhe realitetet më të pazakonta dukeshin krejt normale për ata që jetonin brenda tij.
Një nga momentet që Dua Lipa veçon është historia e një kanaçeje bosh të Coca-Cola-s. Në Shqipërinë e asaj kohe, ajo nuk ishte thjesht një kanaçe, por një simbol i një bote të largët dhe pothuajse të paarritshme. Nëna e autores kursen për ta blerë, humbja e saj shkakton debat mes fqinjëve dhe, kur më në fund gjendet, vëmendja është zhvendosur te një tjetër pije. Një episod i thjeshtë që shpalos me shumë finesë absurditetin e izolimit dhe mënyrën se si ai ndikonte edhe në jetën e përditshme.
Megjithatë, "Free" nuk është vetëm një libër për fundin e komunizmit. Ai ndjek edhe vitet që pasuan, kur liria solli shpresë, por edhe pasiguri. Mbyllja e fabrikave, humbja e vendeve të punës, ndarja e familjeve dhe trazirat e tranzicionit e bëjnë këtë një rrëfim që shkon përtej historisë së një vendi. Në qendër të tij qëndron një pyetje që mbetet aktuale për çdo shoqëri: çfarë do të thotë të jesh vërtet i lirë?
Dua Lipa e përshkruan librin si një vepër që i ofroi një këndvështrim më të thellë mbi një vend me të cilin ndihet e lidhur, duke vlerësuar mënyrën se si Lea Ypi ndërthur kujtesën personale me historinë e një kombi.
Përzgjedhja e "Free" në Service95 Book Club është një moment i rëndësishëm edhe për shqiptarët. Përmes kësaj platforme, historia e Shqipërisë dhe përvoja e një autoreje shqiptare do të lexohen dhe diskutohen nga mijëra njerëz në mbarë botën. Një histori që lindi në Shqipëri tashmë po gjen një audiencë globale, falë dy grave shqiptare që sot janë ndër zërat më të njohur në fushat e tyre.
Redaksia Geg FM Radio9 korrik 2026
Dy shqiptarët Arnold dhe Artan Balla regjistruan rekordin e tretë Guinness, pasi mbajtën një person në balancë mbi një dorë për 31.22 sekonda.

Fermeri Kujtim Plangaj realizoi një varg 110 metra me qepë në Postribë, me synimin që nisma të regjistrohet në Guinness World Records.

Google ka përditësuar imazhet e Street View në Shqipëri me pamje të reja 360 gradë nga qytetet, rrugët dhe destinacionet turistike.