GEG.FM
Po lidhet…

Nga 1 korriku hyn në fuqi faza e dytë e rritjes së pagës minimale në Kosovë.
Që nga sot, 1 korrik, paga minimale në Kosovë është 500 euro bruto, duke shënuar fazën e dytë të zbatimit të vendimit të Qeverisë. Rritja vjen pas ndryshimit të parë, kur më 1 janar të këtij viti paga minimale ishte ngritur në 425 euro bruto.
Vendimi synon të përmirësojë të ardhurat e punëtorëve, por zbatimi i tij mbetet një nga sfidat kryesore. Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, shpreh shqetësimin se një pjesë e kompanive, veçanërisht ato që kanë kontrata me institucione shtetërore dhe komunale, ende nuk po respektojnë as pagën minimale që ishte në fuqi deri tani.
Nga ana tjetër, Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se do të intensifikojë mbikëqyrjen për të siguruar zbatimin e vendimit. Sipas këtij institucioni, bizneset që nuk respektojnë pagën minimale do të përballen me procedura kundërvajtëse, ndërsa sektorët që konsiderohen me rrezik më të lartë për shkelje mbeten ai i pastrimit dhe sigurisë fizike.
Edhe qytetarët kanë reagime të ndryshme ndaj kësaj rritjeje. Shumë prej tyre e mirëpresin vendimin, por vlerësojnë se 500 euro bruto ende nuk janë të mjaftueshme për të përballuar rritjen e vazhdueshme të kostos së jetesës. Sipas tyre, shpenzimet mujore janë rritur ndjeshëm dhe nevojitet një pagë më e lartë për të siguruar një standard më të mirë jetese.
Historia e pagës minimale në Kosovë ka ndryshuar ndjeshëm vitet e fundit. Sipas të dhënave të Institutit GAP, nga viti 2011 deri në vitin 2023 ajo mbeti e pandryshuar për 12 vjet, me 130 euro bruto për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro bruto për ata mbi këtë moshë. Në vitin 2023 kjo ndarje u hoq dhe paga minimale u unifikua në 264 euro bruto, për të vazhduar më pas me rritje në 350 euro gjatë vitit 2024, 425 euro në janar të vitit 2026 dhe tash, nga 1 korriku, në 500 euro bruto.
Redaksia Geg FM Radio1 korrik 2026

Anibar rikthehet në Pejë me 171 filma nga 45 vende. Edicioni i 17-të sjell gjashtë ditë plot animacion, kreativitet dhe atmosferë artistike.

Anketa WeBalkans 2026 tregon se FSK dhe Policia e Kosovës gëzojnë nivelin më të lartë të besimit publik, me mbi 85 për qind të qytetarëve që u besojnë këtyre institucioneve.

Cycle Kosovo for Children ka mbledhur 16 mijë euro për Klinikën e Pediatrisë në Prishtinë, duke mbështetur fëmijët me gjendje kritike shëndetësore dhe diabet.