GEG.FM
Po lidhet…

Sot nis edicioni i 16-të i Etno Fest, një nga festivalet më të veçanta të artit dhe kulturës tradicionale në Kosovë.
Nga 3 deri më 10 gusht, Etno Fshati Kukaj do të shndërrohet në një hapësirë ku ndërthuren arti bashkëkohor, trashëgimia kulturore, muzika, teatri, letërsia dhe diskutimet mbi kujtesën kolektive, nën temën qendrore "Kujtesa".
Festivali hapet sot me ekspozita të skulpturës, pikturës, vizatimit, instalacioneve dhe artit multimedial. Vizitorët do të kenë mundësi të shohin veprat e Butrint Morinës, Qemal Shahinajt, Ferid Morinës, Arben Shalës, Berat Hasanit, Mentor Berishës, Doruntina Bytyqit dhe kolektivit Reporting House. Mbrëmja vazhdon me fotografi artistike, mozaik dhe mural, koncert në piano nga Lule Elezi, performancën skeniko-muzikore antropologjike "Mysafiri", si dhe përmbyllet me koncertin e Edona Reshitaj & Band.
Programi vazhdon më 4 gusht me Ansamblin "Devolli" nga Korça, shfaqjen teatrore "Lahuta e Malcisë", baletin bashkëkohor "VOID" nga Albanian Dance Theater Company dhe koncertin Ocarina Duo & Piano, ndërsa nata mbyllet me performancën e grupit "NA" dhe DJ Caboo.
Më 5 gusht, festivali sjell debatin "Kujtesa historike te shqiptarët", promovimin e librit "Aetos" të Naim Telakut, një ekspozitë kostumografike, performancën "Zeje në zhdukje: Farkëtari", koncert artistik me Gëzim Sadikun, Afrim Sadikun dhe Ardita Begun, si dhe mbrëmjen muzikore me Ardin Behramin dhe CIPA & Band.
Më 6 gusht do të mbahet debati "Dëshmi, dinjitet dhe shpresë", koncerti me Besarta Murtezanin dhe Ansamblin "Dardanus" nga Tetova, shfaqja teatrore "Pylli" nga Teatri "Bekim Fehmiu", ndërsa nata vazhdon me Xuxin.
Programi i 7 gushtit përfshin performancën e Ansamblit të Afërditës nga Belshi, koncert me interpretimet e veprave të Nexhmije Pagarushës nga Arta Jashari, Pranvera Hoxha, Astrit Stafaj dhe Avni Krasniqi, ndërsa mbrëmja përmbyllet me grupin "Dhjetori" dhe Sedat Kuqi Trio.
Më 8 gusht, publiku do të ndjekë performancën e Ansamblit nga Himara, prezantimin e filmit "Odiseu", koncertin me Blerim Grubin, Nita Grubin dhe Arjana Kuriu Grubin, shfaqjen "Pesë fytyrat e heshtjes" nga Teatri "Migjeni" i Shkodrës dhe koncertin e grupit "Melodia e Vjetër".
Në 9 gusht, programi fokusohet në ekspozita artizanale, punëtori tradicionale, debatin "Kujtesa kulturore dhe gjuhësore" me Jeta Gjarën dhe promovimin e disa botimeve të reja, ndërsa në mbrëmje performojnë grupi izraelit "Tavera", shfaqet dokumentari "Okarina e Runikut", dokumentari "Nuk kam titull për artistët e vrarë", shfaqja teatrore "Qark i (Pa)Mbyllur Burgjesh" dhe nata vazhdon me DJ LÜK.
Dita e fundit, 10 gusht, nis me ekspozita dhe punëtori të artizanatit tradicional. Në mbrëmje mbahet koncerti "Echos of Origin" me Flaka Gorancin, pasuar nga ceremonia e ndarjes së çmimeve dhe mbyllja zyrtare e edicionit të 16-të të Etno Fest. Festivali përmbyllet me mbrëmjen muzikore të familjes Qerimaj.
Edicioni i sivjetmë premton tetë ditë të mbushura me art, kujtesë, traditë dhe krijimtari, duke e kthyer edhe një herë Etno Fshatin Kukaj në një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës gjatë verës në Kosovë.
Redaksia Geg FM Radio3 gusht 2026