Xherdan Shaqiri shpallet Sportisti i Vitit 2025 në Basel

Futbollisti me prejardhje kosovare, Xherdan Shaqiri, është nderuar me çmimin “Sportisti i Vitit 2025 i Bazelit”, pas një sezoni të jashtëzakonshëm me klubin e tij.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve “Basler Sport-Champions 2025” u zhvillua të hënën në St. Jakobshalle, ku Shaqiri mori këtë vlerësim për kontributin e tij të madh si kapiten i ekipit.
Klubi i Baselit, ndërkohë, është shpallur “Ekipi i Vitit 2025”, duke u vlerësuar për suksesin e dyfishtë në edicionin 2024/2025, ku arriti të fitojë titullin e kampionit të Zvicrës dhe Kupën e Zvicrës.
Shaqiri luajti një rol kyç në këto arritje, duke udhëhequr skuadrën drejt trofeve dhe duke konfirmuar statusin e tij si një nga figurat më të rëndësishme të futbollit zviceran.