“The Housemaid” tejkalon 200 milionë dollarë fitime, prodhuesi konfirmon vazhdimin e filmit

Filmi triller psikologjik “The Housemaid” ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në kinematë botërore, duke tejkaluar shifrën prej 200 milionë dollarësh në shitjet globale të biletave. Ky rezultat është veçanërisht mbresëlënës duke pasur parasysh se studioja Lionsgate ka investuar vetëm 35 milionë dollarë për realizimin e filmit.
Filmi pati premierën më 19 dhjetor dhe arkëtoi 19 milionë dollarë gjatë fundjavës së parë në Amerikën e Veriut. Brenda katër fundjavave, ai ka realizuar rreth 100 milionë dollarë në SHBA dhe po aq jashtë vendit, duke u shndërruar në një sukses ndërkombëtar. Filmi është i klasifikuar si i papërshtatshëm për personat nën 18 vjeç pa prani të një prindi ose kujdestari.
Sipas raportimeve të Variety, falë reagimeve pozitive të audiencës dhe rekomandimeve të forta, fitimet totale të “The Housemaid” pritet të arrijnë nga 225 deri në 275 milionë dollarë, duke shënuar një arritje të rëndësishme për filmat me buxhet të mesëm.
Filmi, me regji të Paul Feig, bazohet në romanin bestseller të autores Freida McFadden dhe ndjek historinë e Millie-t (Sydney Sweeney), një gruaje të re me të kaluar të trazuar që punësohet si shërbëtore në shtëpinë e një familjeje të pasur. Shpejt, ajo zbulon se çifti që duket i përkryer (Amanda Seyfried dhe Brandon Sklenar) fsheh sekrete të errëta dhe të rrezikshme.
Pas suksesit kritik dhe komercial, Lionsgate ka konfirmuar vazhdimin e filmit, me titull “The Housemaid’s Secret”, i cili do të bazohen në librin e dytë të trilogjisë së McFadden. Historia e re do të ndjekë përsëri Millie-n, e cila përballet me sfida të reja brenda një familjeje tjetër me rrethana të dyshimta.
Paul Feig pritet të rikthehet si regjisor, ndërsa Sydney Sweeney dhe Michele Morrone janë në bisedime për të rikthyer rolet e tyre. Xhirimet planifikohen të nisin në 2026, ndërsa publikimi i filmit pritet rreth vitit 2027.
Me suksesin e filmit të parë dhe materialin e bollshëm nga librat e McFadden, “The Housemaid” po formohet si një franchise e re premtuese për Lionsgate, duke e vendosur studion në hartën e filmave thriller me buxhet të mesëm që kapin audiencë globale