Taylor Swift paralajmëron dokumentar dhe film të ri nga turneu rekord “The Eras Tour”

Taylor Swift paralajmëron dokumentar dhe film të ri nga turneu rekord “The Eras Tour”

Taylor Swift po përgatit dy projekte të reja që do të sjellin më afër se kurrë botën e saj muzikore dhe emocionale. Këngëtarja ka njoftuar publikimin e një dokumentari me gjashtë pjesë dhe një filmi koncertal që do të mbërrijnë në muajin dhjetor.

Dokumentari me titull “Taylor Swift: The Eras Tour – The End of an Era” do të nisë transmetimin më 12 dhjetorDisney+, duke ofruar një rrëfim të thellë mbi prapaskenat e turneut që thyen rekorde në mbarë botën dhe u kthye në fenomen kulturor global.

Po atë ditë, do të publikohet edhe filmi i ri “Taylor Swift: The Eras Tour – The Final Show”, i cili është xhiruar gjatë koncertit përmbyllës në Vancouver. Ky projekt do t’u japë fansave mundësinë të shohin për herë të parë performanca të reja nga albumi “The Tortured Poets Department”, që nuk ishin përfshirë në versionin e parë të filmit të koncertit të shfaqur në kinema.

Sipas njoftimit në “Good Morning America”, dokumentari do të sjellë një vështrim intim në jetën e Swift gjatë turneut, përfshirë bashkëpunëtorë të afërt, familjarë dhe miq të saj si Gracie Abrams, Sabrina Carpenter, Ed Sheeran dhe Florence Welch.

Publikimi i serisë do të bëhet në tri faza: dy episodet e para më 12 dhjetor, dy të tjera javën pasuese dhe pjesët përmbyllëse një javë më vonë.

Menjëherë pas njoftimit, është publikuar edhe traileri zyrtar 99 sekondësh, ndërsa vetë Swift e ka ndarë lajmin me miliona ndjekës në rrjetet sociale.

Këto projekte pritet të jenë një përmbyllje madhështore e epokës “Eras Tour”, që tashmë është cilësuar si turneu më i suksesshëm në historinë e muzikës live.