Takim me qytetarët: Refik Ramadani (#20) dhe ekipi i PDK-së në terren

Takim me qytetarët: Refik Ramadani (#20) dhe ekipi i PDK-së në terren

Kandidati për këshilltar komunal nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Refik Ramadani, është pritur me entuziazëm nga banorët e lagjeve Dheu i Bardhë dhe Dardania, në një takim të hapur të mbajtur bashkë me kandidatin për kryetar të Komunës së Gjilanit, Riad Rashiti, dhe kolegët tjerë të listës së PDK-së. Takimi ishte pjesë e turit të prezantimeve që po zhvillon PDK në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 12 tetorit.

Ramadani, që mban numrin 20 në listën e PDK-së për Këshilltar Komunal, u prit me respekt nga qytetarët, të cilët vlerësuan angazhimin e tij në fushën e arsimit dhe teknologjisë. Ai theksoi se përkushtimi i tij është që Gjilani të ketë një administratë më digjitale, transparente dhe funksionale, ku qytetarët të kenë qasje të lehtë në shërbime dhe informacione komunale.

Me përvojë akademike të gjerë, Ramadani ka përfunduar studimet Bachelor dhe Master në Shkencat Kompjuterike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë dhe doktoraturën në Bullgari në fushën e Metodikës së Mësimdhënies dhe Teknologjisë Informative. Që nga viti 2016, ai është ligjërues në Universitetin “Kadri Zeka”, duke ndihmuar në përgatitjen e brezave të rinj të profesionistëve.

Në këtë garë, Ramadani paraqitet si një emër i ri me ide të qarta dhe vizion modern për komunën e Gjilanit, duke besuar se politika duhet të jetë një mjet për shërbim publik, jo privilegj personal. Ai dhe ekipi i tij nga PDK-ja kanë theksuar se programi që po prezantojnë do të vihet në zbatim, për ta bërë Gjilanin një qytet më të zhvilluar, më efikas dhe më afër qytetarëve.