Riad Rashiti premton 4.7 milionë euro investime për shëndetësinë primare në Gjilan

Riad Rashiti premton 4.7 milionë euro investime për shëndetësinë primare në Gjilan

Kandidati për kryetar të Komunës së Gjilanit nga Partia Demokratike e Kosovës, Riad Rashiti, ka prezantuar planin e tij ambicioz për përmirësimin e shëndetësisë primare, duke synuar të adresojë sfidat kryesore që sot ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e qytetarëve.

Sipas Rashitit, aktualisht shëndetësia në komunë përballet me mungesë të theksuar të mjekëve, pajisje laboratorike jashtë funksionit, mungesë të barërave esenciale dhe pritje të gjata të pacientëve. Infrastruktura ekzistuese dhe keqplanifikimi i nevojave afatgjata kanë lënë shumë projekte të planifikuara, si qendrat dhe ambulancat e mjekësisë familjare, të parealizuara.

Për të ndryshuar këtë gjendje, Rashiti ka prezantuar një paketë masash të fokusuara në shëndetësinë primare, që përfshin:

  • Sigurimin që asnjë mjek i përgjithshëm të mos mbetet pa punë;
  • Funksionalizimin e projektit “Përzgjedh mjekun familjar”;
  • Mbulim të plotë të barërave esenciale nga buxheti komunal;
  • Furnizim të rregullt me materiale për analiza laboratorike;
  • Kontrolla sistematike për nxënësit e klasave 1, 5 dhe 9;
  • Kontrolla vjetore për pensionerët me EKG dhe analiza laboratorike;
  • Rritje të buxhetit për subvencionim të barërave dhe pajisjeve mjekësore në Drejtorinë e Shëndetësisë;
  • Kampanja ndërgjegjësuese për sëmundjet kronike përmes grupit të edukimit;
  • Vendosjen e karrikës së stomatologut në shkollat e mëdha;
  • Ndërtimin e QMF dhe AMF të reja;
  • Menaxhim dhe planifikim të resurseve humane për nevojat reale të shëndetësisë primare;
  • Rritje të buxhetit për subvencionim të OJQ-ve që mbështesin grupet e cenueshme.

Rashiti thekson se këto masa janë pjesë e vizionit të tij për një shëndetësi #MaMirë, ku qytetarët e Gjilanit do të kenë akses më të lehtë dhe cilësor në kujdesin shëndetësor primar, ndërsa kapacitetet ekzistuese do të shfrytëzohen në mënyrë optimale.