Presidentja Osmani nesër i dorëzon Kushtetueses komentet për konstituimin e Kuvendit

Presidentja Osmani nesër i dorëzon Kushtetueses komentet për konstituimin e Kuvendit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i përcjellë nesër (9 shtator) Gjykatës Kushtetuese komentet e saj në lidhje me çështjen e konstituimit të Kuvendit, një proces që tashmë ka hyrë në zvarritje.

Lajmin e ka konfirmuar këshilltari i saj për media, Bekim Kupina, i cili megjithatë nuk ka dhënë detaje për përmbajtjen e komenteve. Ai ka theksuar se qëndrimi i presidentes mbetet i qartë: askush nuk duhet të ketë mundësi t’i bllokojë institucionet e vendit.

“Siç e dini, Gjykata Kushtetuese tashmë ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator. Në lidhje me meritat e rastit, Presidentja do t’ia dorëzojë Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen në fjalë brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata, pra nesër më 9 shtator. Qëndrimi i Presidentes gjithnjë ka qenë se askush nuk duhet ta ketë të drejtën t’i bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin. Ashtu siç parashihet në nenin 57 (4) të Kushtetutës, realizimi i të drejtave të komuniteteve është i pandashëm nga detyrimi për t’i respektuar ligjet e Republikës së Kosovës dhe për të mos i cenuar të drejtat e të tjerëve”, ka deklaruar Kupina.

Javën e kaluar, Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme, duke bllokuar veprimet e deputetëve të rinj dhe procedurat për formimin e qeverisë deri më 30 shtator. Ky vendim u mor pas kërkesës së deputetëve të Listës Serbe, e cila kundërshtoi përfundimin e seancës konstituive nga kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.