Ministria e Drejtësisë nis Fushatën Globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”

Sot, më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, Ministria e Drejtësisë në Kosovë do të lansojë fushatën “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, nën sloganin “E drejta është e saj – Sot dhe çdo ditë tjetër”.
Kjo fushatë do të zgjasë deri më 10 dhjetor, Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
Këtë vit në fushatën e Ministrisë së Drejtësisw në fokus janë:
- Barazia në familje
- E drejta për trashëgimi
- Pavarësia ekonomike e grave
- Arsimi i grave dhe vajzave
- Siguria për të gjitha vajzat dhe gratë
25 Nëntor – Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1999 caktoi 25 nëntorin si Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, duke ftuar qeveritë, organizatat ndërkombëtare dhe OJQ-të të organizojnë aktivitete për ndërgjegjësimin e publikut.
Në këtë datë fillon edhe fushata 16-ditore “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, e cila përfundon më 10 dhjetor, Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Çdo vit, kjo fushatë kërkon veprime globale për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Dhuna ndaj grave mbetet një nga shkeljet më të përhapura dhe shkatërruese të të drejtave të njeriut. Rreth një në tri gra në botë përjetojnë dhunë gjatë jetës, shpesh për shkak të mosndëshkimit, heshtjes dhe stigmatizimit. Arritja e barazisë gjinore dhe fuqizimi i grave kërkon përpjekje të vazhdueshme, përfshirë kuadrin ligjor dhe sfidimin e normave patriarkale dhe shoqërore.
Pse është e rëndësishme kjo ditë?
- Dhuna ndaj grave është shkelje e të drejtave të njeriut dhe pasojë e pabarazisë gjinore.
- Pengon përparimin në fusha të ndryshme, përfshirë luftën kundër varfërisë, HIV/AIDS dhe sigurimin e paqes.
- Parandalimi i dhunës është i mundur dhe thelbësor.
Fakte kryesore:
- Rreth 35% e grave në botë kanë përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale nga partneri intim.
- Deri në 38% e vrasjeve të grave kryhen nga partneri intim.
- Dhuna ka ndikim negativ në shëndetin fizik, mendor, seksual dhe riprodhues.
- Faktorët që rrisin rrezikun përfshijnë arsimimin e ulët, keqtrajtimin në fëmijëri, ekspozimin ndaj dhunës në familje, përdorimin e alkoolit dhe pranimin e pabarazisë gjinore.
Ky kontekst tregon rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe veprimit për mbrojtjen e grave dhe vajzave në mbarë botën.