“Luna Park”, propozimi i Shqipërisë për Oscars 2026

“Luna Park”, propozimi i Shqipërisë për Oscars 2026

Në horizontin e kinemasë shqiptare është ndezur sërish një dritë shprese. Filmi “Luna Park” i regjisorit Florenc Papas, me Adriana Matoshin në rolin kryesor, është përzgjedhur që të përfaqësojë Shqipërinë në garën për çmimin më prestigjioz të kinemasë botërore – Oscars 2026, në kategorinë e Filmit Ndërkombëtar.

Ky është filmi i 18-të që Shqipëria dërgon në këtë garë të madhe, një udhëtim i gjatë e i ngadaltë drejt ëndrrës së artë, ende pa një nominim, por me një ngulm që nuk shuhet. Dhe këtë herë, shpresa vishet me historinë e fuqishme të një nëne dhe të birit të saj, që përballen me dhunën dhe kaosin në Shqipërinë e trazuar të pas-komunizmit.

Adriana Matoshi dhe Orion Jolidashi sjellin në ekran interpretime të thella, të ngarkuara me emocion dhe ndjeshmëri, duke i dhënë peshë një historie që flet për humbjen, mbijetesën dhe dashurinë në kohë të errëta. Për publikun ndërkombëtar, kjo është një derë e hapur drejt kujtesës sonë kolektive, një pasqyrë e asaj çfarë lë pas një regjim dhe si ringrihet një shoqëri nga rrënojat e vetes.

Filmi, një bashkëprodhim i Buka Production, ka nisur udhëtimin e tij festivalor me premierën në Selanik, për t’u ndalur më pas në Goa e Sofia, ku ka tërhequr vëmendjen e kritikëve për temën dhe mjeshtërinë e rrëfimit. Tani, “Luna Park” është favorit për udhëtimin më të rëndësishëm, drejt Los Angeles-it, atje ku më 15 mars 2026, në Teatrin Dolby, do të ngrihet perdja e madhe e ceremonisë së 98-të të Oscars.

Në Kosovë, publiku do ta ketë mundësinë ta ndjekë filmin në ekran të madh nga nëntori në sallat e Cineplexx. Një rast për ta parë me sytë tanë atë që tashmë është bërë ambasador i kinemasë sonë përtej kufijve.

Ndoshta “Luna Park” është filmi që do të thyejë më në fund heshtjen e gjatë të nominimeve. Ndoshta ky është çasti kur Shqipëria do të shkruajë faqen e saj të artë në librin e historisë së Oscars. Por pavarësisht rezultatit, ky udhëtim mbetet dëshmi e rritjes dhe pjekurisë së kinemasë shqiptare – një rrëfim që po bëhet gjithnjë e më i dëgjueshëm në skenën botërore.