Kryeqyteti bëhet me shkollën e parë moderne për tregti, hoteleri dhe turizëm

Kryeqyteti bëhet me shkollën e parë moderne për tregti, hoteleri dhe turizëm

Kryeqyteti ka përuruar objektin e ri të shkollës së mesme të lartë profesionale “7 Shtatori”, e cila ofron profile në fushat e tregtisë, hotelerisë dhe turizmit.

Ky projekt është realizuar përmes bashkëpunimit të Komunës së Prishtinës dhe Agjencisë së Luksemburgut për Bashkëpunim dhe Zhvillim (LuxDev), duke u konsideruar një hap i rëndësishëm në avancimin e arsimit profesional në Kosovë.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit.

Përparim Rama: Nevojë për profesionistë të rinj

Kryetari Rama theksoi se shkolla do të kontribuojë drejtpërdrejt në përgatitjen e gjeneratave të reja për tregun e punës, duke i shërbyer zhvillimit të kryeqytetit dhe të gjithë vendit.
“Çdo vit kemi nga 35 për qind më shumë turistë në Prishtinë dhe në Kosovë. Vendi ynë ka pasur nevojë për një shkollë të tillë, ku nxënësit dhe studentët do të zhvillojnë aftësitë e tyre profesionale për të përmbushur nevojat e sektorit dhe për t’u ngritur në nivel evropian e botëror,” tha Rama.

Eric Dietz: Shembull i bashkëpunimit Kosovë–Luksemburg

Ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, theksoi rëndësinë e kësaj shkolle, duke kujtuar mbështetjen që vendi i tij ka dhënë edhe në shkollat e kompetencës në Ferizaj dhe Prizren.
“Komuna e Prishtinës ka financuar ndërtimin e objektit, ndërsa Agjencia jonë ka kontribuar në dizajnimin dhe pajisjen e shkollës. Ky është një shembull i mirë i bashkëpunimit mes Luksemburgut dhe institucioneve të Kosovës,” u shpreh ai.

Ministria e Arsimit: Ndikim i drejtpërdrejtë në ekonomi

Edhe përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit, Lah Nitaj, tha se të rinjtë që do të mësojnë në këtë shkollë do të kenë një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit, duke i ndihmuar institucionet dhe bizneset përmes aftësive profesionale që do të fitojnë.