Koncerte, ceremoni dhe aktivitete kulturore në Gjilan për 18-vjetorin e Pavarësisë

Komuna e Gjilanit ka organizuar një program të pasur aktivitetesh për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, që do të zhvillohen nga 15 deri më 18 shkurt 2026, duke përfshirë ngjarje institucionale, kulturore dhe artistike.
Aktivitetet nisin më 15 shkurt, në Teatrin e Qytetit, me një koncert festiv për Pavarësi, i realizuar nga nxënësit e shkollës “Hello”, duke shënuar hapjen zyrtare të programit.
Më 16 shkurt, programi vazhdon me aktivitete institucionale. Në Teatrin e Qytetit, në ora 11:00, organizohet ceremonia e shpalljes qytetar nderi për Halil Kastratin, ndërsa në ora 12:30 do të bëhet prerja solemne e shiritit për objektin e ri të Qendrës së Qëndrimit Ditor për të Moshuarit, që përfshin kuzhinë humanitare dhe bujtinë për studentë.
Dita qendrore, 17 Shkurti – Dita e Pavarësisë, fillon me homazhe në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në ora 09:00. Programi vazhdon me seancën solemne në ora 10:00, defilenë festive nga nxënësit e shkollës “Thimi Mitko” në Sheshin e Qytetit në ora 11:00, koncertin për fëmijë në ora 12:00 në Teatrin e Qytetit, ndërsa përmbyllet me koncertin madhështor për Pavarësi në ora 19:00 në Teatrin e Qytetit.
Aktivitetet përmbyllen më 18 shkurt, me një shfaqje Stand Up Comedy në Teatrin e Qytetit.
