Kaltrina Krasniqi rikthehet me filmin “Zbardhje”, bashkon Adriana Matoshin dhe Arta Dobroshin në një dramë urbane

Filmi i ri artistik “Zbardhje”, i regjisores kosovare Kaltrina Krasniqi, ka hyrë zyrtarisht në fazën e xhirimeve në Prishtinë, duke shënuar projektin e saj të radhës pas suksesit ndërkombëtar të filmit Vera Andrron Detin. Ky film, që ishte premiera e saj e parë me metrazh të gjatë, u prezantua në garën Orizzonti në kuadër të Venice International Film Festival, duke e vendosur emrin e regjisores në skenën ndërkombëtare të kinemasë.
Pas këtij suksesi, Krasniqi rikthehet me një histori të re filmike që po realizohet sërish në bashkëpunim me një pjesë të ekipit krijues të filmit të saj të parë, ndërsa në projekt janë përfshirë edhe bashkëpunëtorë të rinj në departamentet artistike dhe në ekipin e produksionit.
Në qendër të filmit “Zbardhje” janë dy nga aktoret më të njohura shqiptare, Adriana Matoshi dhe Arta Dobroshi, të cilat mbajnë rolet kryesore. Në kastin mbështetës përfshihen edhe emra të njohur të skenës kosovare si Kosovare Krasniqi, Agron Shala, Aurita Agushi, Art Pasha dhe Blerta Ismaili.
Ngjarja zhvillohet në Prishtinën e sotme dhe ndjek jetët e dy grave që takohen në vendin e punës. Fatimja, e ardhur nga periferia e qytetit, punon si mirëmbajtëse, ndërsa Elvira drejton një kompani marketingu në qendër të kryeqytetit. Përmes historisë së tyre, filmi eksploron tensionet dhe kontrastet që lindin mes klasave sociale dhe ndryshimeve urbane, ndërsa qyteti përreth tyre transformohet vazhdimisht.
Në planin tematik, filmi përdor konceptin e “zbardhjes” si metaforë për proceset shoqërore dhe urbane, mënyrën se si hapësirat, historitë dhe vetë njerëzit “pastrohen” ose zhduken në emër të zhvillimit dhe aspiratave të reja të shoqërisë.
Skenari është shkruar nga dramaturgia dhe skenaristja Doruntina Basha, ndërsa producent i filmit është Ares Shporta. Projekti po realizohet me mbështetjen e disa institucioneve ndërkombëtare të filmit, përfshirë Kosovo Cinematography Center, Bulgarian National Film Center, National Center of Cinematography Albania, Film Center of Montenegro, si dhe fondet Hubert Bals Fund dhe Visions Sud Est.
“Zbardhje” është një bashkëprodhim ndërkombëtar mes kompanive Vera Films, Portokal, Papadhimitri Productions dhe Code Blue Production.
Projekti ka marrë gjithashtu mbështetje edhe nga partnerë vendorë në Kosovë, mes tyre Radix, Courtyard by Marriott Prishtina, Four Points by Sheraton Prishtina, Rodon Tech, Dukagjini Group, Meridian Kitchen, Novaza, TOK/DGTL, Korporata Rugovë, Ramiz Sadiku Complex ENG, Klinika Rezonanca, Noya dhe Kino Armata.
Në këtë mënyrë, filmi synon të sjellë një rrëfim të fuqishëm për transformimet urbane dhe shoqërore në Prishtinën e sotme, duke kombinuar dramën personale me realitetin e një qyteti që ndryshon vazhdimisht.