Interneti pothuajse në çdo shtëpi: 99.3% e familjeve në Kosovë kishin qasje online në vitin 2025

Interneti pothuajse në çdo shtëpi: 99.3% e familjeve në Kosovë kishin qasje online në vitin 2025

Interneti është bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme në Kosovo. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), rreth 99.3% e ekonomive familjare në Kosovë kishin qasje në internet gjatë vitit 2025, ndërsa vetëm 0.6% deklaruan se nuk kishin qasje në rrjet.

Sipas anketës për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit në familje, grup-mosha me përdorimin më të lartë të internetit ishte 16–24 vjeç, me rreth 20%, e ndjekur nga grup-mosha 25–34 vjeç me 19.2%. Ndërkohë, përdorimi më i ulët është regjistruar te grup-mosha 65–74 vjeç, me rreth 10.1%.

Të dhënat tregojnë gjithashtu një dallim shumë të vogël mes gjinive. Femrat rezultojnë pak më aktive në internet, me 50.1%, ndërsa meshkujt me 49.9% të përdorimit. Një tjetër trend interesant është përdorimi i inteligjencës artificiale: nga ata që kanë përdorur internetin në tre muajt e fundit, 45.6% kanë përdorur mjete të inteligjencës artificiale për qëllime private, shkollore ose profesionale.

Anketa e ASK-së është realizuar në të gjithë territorin e Kosovës për individët e moshës 16 deri në 74 vjeç, duke mbledhur të dhëna për përdorimin e internetit, pajisjeve digjitale, shërbimeve të e-qeverisjes, e-tregtisë dhe teknologjive të reja. Rezultatet tregojnë se qasja në internet në Kosovë vazhdon të rritet, pasi edhe në vitin 2024 përqindja e familjeve me internet kishte arritur në 99%.