Gjilani si kryeqytet i Frankofonisë: koncert, teatër dhe aktivitete kulturore gjatë javës frankofone

Gjilani këtë pranverë do të shndërrohet në një pikë takimi të kulturave frankofone. Nga 24 deri më 28 mars, qyteti do të mirëpresë edicioni e 26-të të “Javës së Frankofonisë”, një ngjarje që çdo vit bashkon artin, gjuhën dhe kulturën e vendeve ku flitet frëngjishtja.
Ky edicion organizohet nga Komuna e Gjilanit, në bashkëpunim me Ambasadën e Francës dhe Institutin Francez në Kosovë, si dhe me Ambasadën e Belgjikës, Zvicrës dhe Luksemburgut, duke e bërë qytetin këtë vit “Kryeqytetin e Frankofonisë në Kosovë”.
Frankofonia përfaqëson një komunitet global që bashkon mbi 300 milionë folës të gjuhës frënge në më shumë se 80 vende të botës. Përveç gjuhës, ajo promovon vlera si dialogu ndërkulturor, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe shkëmbimi artistik. Pikërisht këto ide do të reflektohen edhe në programin e pasur që do të zhvillohet në Gjilan.
Mbrëmja e hapjes: muzika që bashkon kultura
Festimet do të nisin më 24 mars në orën 20:00, në Teatrin e Qytetit në Gjilan, me një koncert inaugurues që do të sjellë në skenë një bashkëpunim artistik mes Francës dhe Kosovës.
Në këtë mbrëmje do të performojë kitaristi francez Thierry Mercier, i cili do të interpretojë së bashku me sopranon kosovare Besa Llugiqi. Programi artistik do të shoqërohet edhe me një moment miqësor kokteji, duke krijuar një atmosferë festive për fillimin e javës kulturore.
Në ceremoninë e hapjes pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues diplomatikë të vendeve frankofone, përfshirë Ambasadorin e Francës Olivier Guérot, Ambasadorin e Belgjikës Grégoire Cuvelier, Ambasadorin e Zvicrës Jürg Sprecher dhe Eric Dietz, i ngarkuar me punë i Luksemburgut.
Aktivitetet e 24 marsit: kulturë, edukim dhe gastronomi
Dita e parë e programit nis që në mëngjes me aktivitete të ndryshme kulturore dhe edukative.
Në Bibliotekën Komunale në Gjilan, në orën 14:00, do të inaugurohet Hapësira Frankofone, e shoqëruar me një konferencë mbi ndikimin e teknologjisë së informacionit dhe rrjeteve sociale në sistemin arsimor në Francë dhe Kosovë.
Ndërkohë, në Hotel Astoria, nga ora 10:00 deri në 14:00, do të zhvillohet një aktivitet gastronomik me temë kuzhina franceze, ku chef Christophe dhe Nathalie Richard-Vitton do të realizojnë një trajnim për nxënësit e Shkollës së Mesme të Hotelerisë “Sahit Baftiu”. Në mbrëmje, në orën 19:00, në Teatrin e Qytetit do të organizohet një koktej i përgatitur nga këta nxënës.
25 mars: arti dhe edukimi në fokus
Programi vazhdon më 25 mars me aktivitete të ndryshme akademike dhe artistike.
Në Universitetin “Kadri Zeka”, në orën 10:30, do të mbahet një prezantim mbi sistemin universitar francez nga Campus France Kosovo, duke ofruar informacione për studimet dhe mundësitë akademike në Francë.
Më pas, në Shkollën e Muzikës, në orën 14:00, nxënës nga gjimnazet “Xhavit Ahmeti” dhe “Zenel Hajdini” do të prezantojnë një spektakël shkollor me titull “Dis-moi dix mots d’un monde à venir”.
Në Galerinë e Qytetit, në orën 18:00, do të hapet një ekspozitë fotografike mbi biodiversitetin, që prezanton punën e shoqatës franceze SISMAE.
Dita do të përmbyllet me një koncert letrar dhe muzikor në Teatrin e Qytetit të Gjilanit, në orën 20:00, me titull “L’Heure Exquise”, me interpretimin e mezzo-sopranos Fiona Shabani, pianistes Lirika Pula dhe aktores Albulena Bokshi, bazuar në veprën e kompozitorit Reynaldo Hahn.
28 mars: teatër francez në skenën e Gjilanit
Aktivitetet e javës do të përmbyllen më 28 mars, në Teatrin e Qytetit në Gjilan, me shfaqjen teatrale “Le Mensonge” (Gënjeshtra), një vepër e autorit francez Florian Zeller.
Shfaqja do të vihet në skenë nga Teatri i Qytetit të Gjilanit, me regji të Ekrem Sopjanit. Ajo do të interpretohet në gjuhën shqipe dhe do të shoqërohet me titra në anglisht.

