Edhe 5 ditë deri te Oscars 2026: Hollywood gati për natën më të madhe të filmit

Edhe 5 ditë na ndajnë nga ceremonia më e madhe kinematografike në botë, ndarja e çmimeve Oscars 2026, e cila këtë vit shënon edicioni e 98-të të Academy Awards. Ceremonia do të mbahet më 15 mars në Dolby Theatre në Hollywood, aty ku çdo vit mblidhen emrat më të mëdhenj të industrisë së filmit për të kurorëzuar arritjet më të mira të vitit.
Çmimet Oscars, të organizuara nga Academy of Motion Picture Arts and Sciences, konsiderohen vlerësimi më prestigjioz në botën e filmit dhe shpërblejnë prodhimet më të mira kinematografike të vitit të kaluar. Mbrëmja do të transmetohet globalisht dhe pritet të ndiqet nga miliona shikues në mbarë botën, ndërsa këtë vit ceremoninë do ta drejtojë komediani Conan O’Brien.
Në qendër të vëmendjes këtë vit është filmi “Sinners”, i cili kryeson garën me 16 nominime, duke u bërë një nga filmat më të nominuar në historinë e Oscars. Pas tij vjen “One Battle After Another” me 13 nominime, ndërsa në garë për çmimet kryesore janë edhe disa tituj shumë të përfolur si “Hamnet”, “Frankenstein”, “Marty Supreme”, “Sentimental Value”, “The Secret Agent”, “Train Dreams”, “Bugonia” dhe filmi sportiv “F1”.
Edicioni i këtij viti sjell edhe një risi të rëndësishme në historinë e Oscars. Për herë të parë është shtuar kategoria “Best Casting”, duke njohur rolin e drejtorëve të kastit në përzgjedhjen e aktorëve për filmat. Me këtë ndryshim, numri i kategorive konkurruese arrin në 24 çmime.
Si çdo vit, pritjet janë të mëdha për kategoritë kryesore si Best Picture, Best Director, Best Actor dhe Best Actress, ndërsa tapeti i kuq në Hollywood pritet të shndërrohet sërish në një nga momentet më të komentuara të kulturës pop dhe industrisë së filmit.
Me vetëm pak ditë deri në ceremoninë e madhe, Oscars 2026 premton një tjetër natë spektakolare ku arti, kinemaja dhe historia e filmit do të takohen në një skenë të vetme.