Dogana e Kosovës konfiskon 1 kg kanabis në Qendrën Doganore të Postës

Dogana e Kosovës konfiskon 1 kg kanabis në Qendrën Doganore të Postës

Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë një kontrolli rutinë të dërgesave postare ka zbuluar dhe konfiskuar një sasi prej 1 kilogrami kanabis në Qendrën Doganore të Postës.

Gjatë inspektimit të një pakoje të dyshimtë me prejardhje nga jashtë vendit, zyrtarët doganorë kanë hasur në dy qese plastike të mbushura me substancë të blertë, e cila pas verifikimit të Njësisë Anti-Drogë të Policisë së Kosovës është konfirmuar si narkotik i llojit marihuanë.

Në përputhje me procedurat ligjore, rasti, së bashku me provat materiale, i është dorëzuar Policisë së Kosovës për trajtim të mëtejshëm penal.

Dogana ka theksuar se ky konfiskim dëshmon angazhimin e saj të vazhdueshëm për të parandaluar hyrjen e substancave të paligjshme në vend, duke mbrojtur sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve. Institucioni shton se bashkëpunimi me autoritetet e sigurisë mbetet kyç për të garantuar kontrolle efektive dhe për të luftuar trafikun e drogës.