Kosova në qendër të çiklizmit botëror: “Tour of Kosova 2025” nis me 124 çiklistë

Kosova në qendër të çiklizmit botëror: “Tour of Kosova 2025” nis me 124 çiklistë

Kosova hapi sot pedalet për “Tour of Kosova 2025”, gara ndërkombëtare e çiklizmit e klasifikuar 2.2 nga Unioni Ndërkombëtar i Çiklizmit (UCI). Ngjarja, që do të zgjasë deri më 6 shtator, ka kthyer vendin tonë në një destinacion tërheqës për adhuruesit e çiklizmit nga e gjithë bota.

Starti u dha nga sheshi “Ibrahim Rugova” në Prishtinë, me rrugët e kryeqytetit – autostradat “Ibrahim Rugova” dhe “Arbën Xhaferi” – që u mbushën me energji dhe ritëm garash. Në këtë edicion marrin pjesë 124 sportistë nga 16 shtete, duke ofruar spektakël dhe konkurrencë të lartë për çiklistët vendas.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, u shpreh i entuziazmuar për ekipin kombëtar:

“Me ekipin e Kosovës para nisjes së garës ndërkombëtare ‘Tour of Kosova’, ku po marrin pjesë 16 shtete dhe 124 sportistë. Shumë suksese për garuesit tanë!”

Pjesëmarrja e gjerë ndërkombëtare vërteton profesionalizmin dhe besueshmërinë e Kosovës në organizimin e ngjarjeve sportive, duke i dhënë çiklistëve vendas mundësinë të përballen me emra të njohur të skenës botërore. Për disa ditë, rrugët e Kosovës do të jenë pista e emocioneve dhe shpejtësisë, duke promovuar jo vetëm sportin, por edhe turizmin dhe imazhin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare.