Dezinformimi me Bazë Gjinore në Kosovë: Si targetohen gratë në politikë dhe hapësirën publike

Një grua politikane sulmohet online jo për programin e saj, por për pamjen fizike. Një gazetare përballet me komente seksiste pas një raportimi kritik. Një aktiviste bëhet shënjestër e qindra komenteve fyese pasi shpreh një qëndrim publik. Këto nuk janë raste të izoluara. Ato janë pjesë e një fenomeni gjithnjë e më të dukshëm në Kosovë: dezinformimit me bazë gjinore.
Ndryshe nga format tradicionale të dezinformimit, që synojnë të manipulojnë faktet apo ngjarjet, dezinformimi me bazë gjinore ka një objektiv tjetër: dëmtimin e reputacionit, kredibilitetit dhe pjesëmarrjes së grave në jetën publike. Në vend që të sulmohen për idetë, programet apo punën e tyre, gratë shpesh bëhen objekt i sulmeve që lidhen me pamjen, jetën private, statusin familjar, moralin apo stereotipet gjinore.
Ky fenomen është bërë veçanërisht i dukshëm gjatë proceseve zgjedhore, kur gratë që garojnë për poste publike ekspozohen ndaj një vale sulmesh që shpesh nuk kanë asnjë lidhje me aktivitetin e tyre politik.
Këtë e konfirmon edhe raporti i organizatës Demokraci për Zhvillim (D4D), “Gender-Based Disinformation and Misogynistic Language in Online Media” (2025), i cili monitoroi mediat online dhe rrjetet sociale gjatë periudhës dhjetor 2024 – maj 2025, përfshirë edhe fushatën për zgjedhjet parlamentare.
Raporti identifikoi 878 raste të gjuhës së urrejtjes, përmbajtjeve seksiste dhe sulmeve denigruese ndaj grave në politikë. Rreth 75 për qind e rasteve përmbanin gjuhë urrejtjeje, ndërsa 16 për qind përmbajtje fyese dhe poshtëruese.
Në një bisedë të realizuar me Geg FM Radio në kuadër të rubrikës “ZGJUAR APO JO”, ku u trajtua tema e dezinformimit me bazë gjinore, Venera Gashi nga D4D, njëra nga autoret e hulumtimit, theksoi se gratë politikane në Kosovë sulmohen shumë më shpesh për aspektet personale sesa për qëndrimet e tyre politike.
“Gratë politikane në Kosovë nuk sulmoheshin për programin apo qëndrimet politike, por për pamjen fizike, jetën private, statusin familjar dhe stereotipe gjinore”, tha Gashi.
Sipas raportit, gjatë fushatës zgjedhore është vërejtur rritje e seksizmit digjital, sulmeve të koordinuara online dhe manipulimeve me informata të rreme kundër grave kandidate. Sa më e dukshme të jetë një grua në hapësirën publike, aq më e madhe është mundësia që të bëhet objekt i sulmeve të tilla.
Një nga shembujt më konkretë të këtij fenomeni u identifikua edhe nga Geg FM gjatë monitorimit të përmbajtjeve online në periudhën zgjedhore. Në ditët e para pas publikimit të listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 7 qershorit, një faqe në Facebook publikoi një përmbajtje manipuluese ndaj kandidates për deputete Adelina Tërshani.
Përmbajtja përmbante pretendime të pavërteta dhe elemente të qarta të manipulimit digjital. Përmes përdorimit të inteligjencës artificiale ishte ndryshuar identiteti vizual i fotografisë së saj, duke zëvendësuar fytyrën e kandidates me fytyrën e një aktoreje të filmave për të rritur. Qëllimi i një manipulimi të tillë nuk ishte debati politik apo kritika ndaj një programi, por poshtërimi publik dhe dëmtimi i reputacionit të një gruaje pjesëmarrëse në procesin zgjedhor.
Ky rast pasqyron pikërisht atë që raporti i D4D e identifikon si një nga format më të reja dhe më të rrezikshme të dezinformimit gjinor: përdorimin e inteligjencës artificiale, fotografive të manipuluara, materialeve të fabrikuara dhe përmbajtjeve mashtruese për të diskredituar gratë në politikë dhe jetën publike.
Fenomeni nuk kufizohet vetëm te periudhat zgjedhore. Raporti “UNSOCIAL MEDIA” (2023), i realizuar nga D4D në bashkëpunim me Pikasa Analytics dhe UNDP Kosovo, tregon se gratë në politikë dhe vendimmarrje janë vazhdimisht më të ekspozuara ndaj gjuhës seksiste, komenteve mizogjene dhe sulmeve të koordinuara në rrjetet sociale.
Një nga gjetjet më alarmuese të këtij raporti është se 89.6 për qind e komenteve me gjuhë urrejtjeje ndaj grave vinin nga burra, ndërsa 10.4 për qind nga gra.
Raporti evidenton gjithashtu se përmbajtjet me dezinformata gjinore gjenerojnë shumë më tepër ndërveprime sesa lajmet e zakonshme. Mesatarisht, postimet që sulmojnë gratë përmes dezinformatave marrin rreth trefish më shumë reagime dhe shpërndarje.
“Përmbajtjet me dezinformata gjinore gjenerojnë shumë më tepër reagime dhe shpërndarje sesa përmbajtjet e zakonshme informative. Kjo lidhet edhe me mënyrën se si algoritmet e rrjeteve sociale favorizojnë përmbajtjet polarizuese dhe emocionale”, tha Venera Gashi gjatë intervistës për Geg FM.
Kjo do të thotë se një fotografi e montuar, një citat i rremë apo një pretendim i pavërtetë mund të arrijë shumë më shpejt te publiku sesa një lajm i verifikuar. Për pasojë, dëmi ndaj reputacionit të personit të targetuar shpesh ndodh para se informacioni të korrigjohet.
Gjetjet nga Kosova përputhen edhe me trendet ndërkombëtare. Sipas raporteve të UN Women dhe UNESCO, gratë në politikë, media dhe aktivizëm janë ndër grupet më të ekspozuara ndaj dezinformimit dhe sulmeve të koordinuara online. Këto organizata vlerësojnë se dezinformimi me bazë gjinore përdoret jo vetëm për të dëmtuar reputacionin individual, por edhe për të kufizuar pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje dhe debat publik. Në raportet e tyre theksohet se inteligjenca artificiale, deepfake dhe manipulimet vizuale po krijojnë sfida të reja globale, të cilat po prekin gjithnjë e më shumë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën.
“Mizogjinia online nuk prek vetëm gratë që bëhen objekt i sulmeve. Ajo ndikon në cilësinë e debatit publik dhe në gatishmërinë e grave për t’u përfshirë në politikë, media dhe vendimmarrje”, tha Gashi në bisedën për Geg FM.
Organizata të ndryshme në Kosovë kanë paralajmëruar për pasojat e këtij fenomeni. Rrjeti i Grave të Kosovës ka ngritur shqetësimin se normalizimi i mizogjinisë online po ndikon drejtpërdrejt në pjesëmarrjen e grave në politikë dhe vendimmarrje. Instituti i Kosovës për Drejtësi ka kërkuar reagim më të fortë institucional ndaj gjuhës së urrejtjes dhe fushatave të linçimit publik, ndërsa Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar vazhdimisht ndaj sulmeve online kundër gazetareve dhe grave në media.
Përtej dëmit individual, dezinformimi me bazë gjinore prek vetë cilësinë e demokracisë. Kur gratë dekurajohen të marrin pjesë në politikë, gazetari apo debat publik për shkak të sulmeve dhe fushatave të urrejtjes, humbet e gjithë shoqëria. Në kohën e inteligjencës artificiale dhe përhapjes së shpejtë të informacionit, edukimi medial, verifikimi i fakteve dhe reagimi institucional mbeten ndër mjetet më të rëndësishme për të mbrojtur jo vetëm gratë, por edhe të drejtën e qytetarëve për informim të saktë dhe debat të bazuar në fakte.
Ky artikull është realizuar në kuadër të nismës së Geg FM Radio “Ndikimi i Radios në Luftën Kundër Lajmeve të Rreme dhe Dezinformatave”, e cila synon të promovojë edukimin medial, verifikimin e informacionit dhe ndërgjegjësimin publik për format moderne të manipulimit informativ në Kosovë.
Ky artikull është realizuar me mbështetjen e projektit “Mbështetje për shoqërinë civile në Kosovë”, financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe implementuar nga LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Geg FM Radio dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Dukatit të Madh të Luksemburgut.
