Rita Ora, producente ekzekutive në dokumentarin për të rinjtë e Kosovës

Rita Ora, producente ekzekutive në dokumentarin për të rinjtë e Kosovës

Në kuadër të edicionit të sivjetshëm të DokuFest-it, që po mbahet në Prizren, u dha premiera e dokumentarit “Palace of Youth”, një film që sjell në fokus jetën, ëndrrat, sfidat dhe fuqinë krijuese të të rinjve në Kosovë – një vend ku mbi 55% e popullsisë është nën moshën 25 vjeç.

Filmi eksploron rrëfimet personale të disa të rinjve kosovarë, përmes një qasjeje të ndjerë dhe intime, duke përdorur muzikën si mjet shprehës dhe bashkues. Përmes këngëve, filmimi i ndjek në udhëtimin e tyre të përditshëm, duke ndriçuar realitetin e të rinjve në një shoqëri post-konflikti, ku komuniteti dhe miqësia janë shtylla kyçe të identitetit dhe qëndrueshmërisë.

“Palace of Youth” është një bashkëprodhim ndërkombëtar, i realizuar nga Tragicomedia, Essence Film dhe Katarzë Films, ndërsa përfshin një ekip të përkushtuar ndërkombëtar dhe lokal. Regjia mban firmën e Maddie Gwinn, e cila ka bashkëpunuar gjithashtu në montazh dhe kinematografi, ndërsa producentët janë Mitch Dickman, Bettina Morlock, Igor Dovgal, Leart Rama dhe vetë Maddie Gwinn.

Roli i Rita Orës në këtë projekt është veçanërisht i rëndësishëm. Si producent ekzekutiv, ajo është angazhuar në përkrahje të talentit të ri kosovar, duke ndihmuar në ngritjen e këtij rrëfimi në skenën ndërkombëtare. Në postimin e saj me rastin e premierës, Rita shprehu emocionet për këtë eksperiencë dhe theksoi rëndësinë që ka për të përfaqësimi i rinisë së Kosovës.

Në kolonën zanore të filmit marrin pjesë artistë të rinj nga skena alternative kosovare, si Suada Abazi (@zwadaa), Edona Vatoci (@ktrr) dhe Lekë Morina & Donat Vatoci (@milksnatchers), të cilët japin frymën muzikore që udhëheq gjithë rrëfimin filmik.

Filmi shquhet për një realizim vizual mbresëlënës, falë punës së Samir Ljuma dhe vetë regjisores Gwinn në kinematografi, ndërsa për ngjyrat është përkujdesur Claudia Maneka Maharaj. Posterët zyrtarë mbajnë firmën e Elvira Thaçit dhe Urtina Hoxhës.

“Palace of Youth” është më shumë se një film – është një platformë zëri për një brez të tërë që kërkon të dëgjohet. Një rrëfim i ndjeshëm dhe fuqishëm për Kosovën e re, ashtu siç e jetojnë vetë të rinjtë e saj.