Fakulteti Juridik i UP-së ndër tetë më të mirët në garën ndërkombëtare Vis Pre Moot Madrid 2026

Një tjetër sukses ndërkombëtar vjen për Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Ekipi i studentëve arriti të renditet në mesin e tetë më të mirëve në Vis Pre Moot Madrid 2026, duke siguruar një vend në çerekfinale pas një performance të qëndrueshme dhe konkurruese.
Gara u zhvillua nga 23 deri më 25 shkurt 2026 në Madrid, si pjesë përgatitore e prestigjiozes Willem C. Vis International Commercial Arbitration Moot – një nga kompeticionet më të mëdha në botë në fushën e arbitrazhit tregtar ndërkombëtar.
Vis Moot mbledh çdo vit qindra universitete nga e gjithë bota dhe konsiderohet një platformë elitare për studentët e drejtësisë që synojnë karrierë në arbitrazh dhe të drejtën tregtare ndërkombëtare.
Paragarat (Pre Moots), si ajo në Madrid, shërbejnë si simulime intensive të procesit të arbitrazhit, ku ekipet përballen në seanca gojore para jurive të përbëra nga profesorë dhe praktikues ndërkombëtarë.
Pas gjashtë raundeve përballë universiteteve prestigjioze, ekipi i UP-së dëshmoi përgatitje të lartë akademike dhe aftësi të avancuara argumentimi. Fakulteti u përfaqësua nga studentët Angjelina Krasniqi, Ema Guda, Liza Rexhepi dhe Rron Zeka, nën udhëheqjen e trajneres Ass. Vlera Parduzi.
Që nga viti 2022, përfshirja në gara si Philip C. Jessup International Law Moot Court Competition, Nuremberg Moot Court dhe Vis Moot është bërë pjesë e programit të përhershëm të Fakultetit Juridik, duke forcuar ndërkombëtarizimin dhe përfaqësimin e studentëve në skenën globale. Suksesi në Madrid vjen si një hap i rëndësishëm para garës kryesore të Vis Moot në Vjenë, e cila do të mbahet nga 27 mars deri më 2 prill 2026.