Historike: Filharmonia e Kosovës debuton në Vjenë me koncert madhështor

Historike: Filharmonia e Kosovës debuton në Vjenë me koncert madhështor

Një mbrëmje historike për kulturën kosovare u shënua në Vjenë, ku Filharmonia e Kosovës u prezantua për herë të parë në kryeqytetin austriak. Orkestra Harkore, nën drejtimin e dirigjentit Edon Ramadani, mbajti një koncert të suksesshëm që u prit me entuziazëm nga publiku vendas dhe komuniteti shqiptar.

Koncerti u organizua në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri dhe u mbajt në Sallën e Madhe të “Haus der Industrie”, një hapësirë prestigjioze që i dha kësaj ngjarjeje një dimension të veçantë. Ky prezantim konsiderohet si një moment i rëndësishëm për afirmimin e kulturës kosovare në skenën ndërkombëtare.

Programi artistik përfshiu vepra nga Felix Mendelssohn, Drinor Zymberi dhe Valton Beqiri, duke ndërthurur traditën klasike evropiane me krijimtarinë bashkëkohore kosovare. Mbrëmjen e pasuruan me interpretimet e tyre sopranot Arta Jashari dhe Zana Abazi-Ramadani, të cilat u duartrokitën gjatë nga publiku.

Ngjarja u realizua në kuadër të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke dëshmuar edhe një herë se arti dhe kultura mbeten ura më e fortë lidhëse mes popujve dhe vendeve. Debutimi në Vjenë shënon një kapitull të ri për Filharmoninë e Kosovës në rrugëtimin e saj ndërkombëtar.