Kosova në epokën digjitale: Celulari triumfon, telefoni fiks drejt zhdukjes

Kosova në epokën digjitale: Celulari triumfon, telefoni fiks drejt zhdukjes

Në shumicën e shtëpive në Kosovë, ekrani i televizorit është i ndezur dhe interneti është gjithmonë aktiv. Shifrat e fundit tregojnë se nga 366,595 ekonomi familjare, plot 362,983 kanë televizor. Pjesa më e madhe përdorin lidhje kabllore, ndërsa një numër më i vogël shfrytëzon lidhje tokësore apo IPTV. Interneti ka hyrë pothuajse në çdo familje, me 355,848 ekonomi që kanë qasje në rrjet.

Por, ndryshe nga interneti, kompjuteri nuk është ende pajisja kryesore në shtëpi. Vetëm 196,911 familje posedojnë kompjuter apo laptop. Në vend të tij, celulari po dominon. Plot 360,502 familje kanë telefon mobil, duke e bërë atë mjetin kryesor për komunikim, informim dhe argëtim.

Ndërkohë, telefoni fiks është drejt zhdukjes. Vetëm 12,826 ekonomi familjare e përdorin ende. Një pajisje që dikur ishte simbol i komunikimit, sot është zëvendësuar pothuajse tërësisht nga telefoni mobil dhe aplikacionet online.

Kosova sot numëron 1,586,659 banorë, me moshë mesatare 34.84 vjeçe. Familjet janë më të vogla se më parë, me mesatarisht 4.33 anëtarë. Shifrat tregojnë një vend që po plaket ngadalë, por që po digjitalizohet shpejt. Interneti dhe celulari po formësojnë përditshmërinë, ndërsa teknologjia po bëhet pjesë e pandashme e jetës në çdo shtëpi.