Një mbrëmje që preku shpirtin: Filharmonia e Kosovës shënon 18-vjetorin me koncert solemn

Në kuadër të festimeve për 18-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Filharmonia e Kosovës realizoi një Koncert Solemn që solli emocione të forta dhe interpretim të nivelit të lartë artistik. Në skenë u bashkuan Kori dhe Orkestra, nën drejtimin e dirigjentit Baki Jashari, duke krijuar një mbrëmje që ndërthurte madhështinë klasike me ndjeshmërinë kombëtare.
Solistët Betim Krasniqi dhe Vendim Kapaj – “Mjeshtër i Madh” – interpretuan me forcë e elegancë, ndërsa programi përfshiu Uverturën nga opera Nabucco, veprën “Gloria” të John Rutter, si dhe tri vepra premierë nga kompozitorët Aleksandër Vezulli, Aulon Naçi dhe Valton Beqiri.
Një nga momentet më prekëse të mbrëmjes ishte interpretimi i “Numquam Iterum – Lamenti i Nënës”, e komisionuar në bashkëpunim me Fondacioni Jahjaga, si dedikim për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Kjo vepër solli në sallë një heshtje të thellë reflektimi dhe respekti.
Në përmbyllje, Filharmonia e Kosovës shprehu mirënjohje për publikun, artistët dhe bashkëpunëtorët që kontribuuan në realizimin e kësaj mbrëmjeje solemne, duke dëshmuar edhe një herë se arti mbetet një nga format më të fuqishme të kujtesës dhe krenarisë kombëtare.



