Kosova feston 18-vjetorin e Pavarësisë me ceremoni solemne dhe nderime kombëtare

Kosova feston 18-vjetorin e Pavarësisë me ceremoni solemne dhe nderime kombëtare

Sot, Republika e Kosovës po feston 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, një ditë që kujton sakrificën dhe vizionin e atyre që e bënë të mundur shtetin e ri. Aktivitetet zyrtare nisën që nga ora 7:00 me ngritjen e Flamurit të Kosovës në oborrin e Qeverisë, duke hapur një program të pasur me ceremoni solemne dhe homazhe kombëtare.

Institucionet shtetërore vazhduan më pas me homazhe për figurat më të rëndësishme të historisë sonë, duke përfshirë Monumentin e të Pagjeturve, Pllakën Përkujtimore të Fëmijëve të Vrarë, si dhe varret e ish-presidentit Dr. Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi. Homazhet në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz shënuan një moment reflektimi dhe nderimi për sakrificën e luftëtarëve për liri.

Prej orës 10:30 ka nisur Seanca solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Tashmë, rreth orës 11:00, përgatitjet për parakalimin e Trupave të Forcës së Sigurisë dhe Policisë së Kosovës në Rrugën “Luan Haradinaj” janë në finalizim, duke e çuar programin drejt pjesës së tij më festive dhe solemne.

Agjenda e ditës:

  • 7:00 – Ngritja e Flamurit të Republikës së Kosovës (Oborri i Qeverisë)
  • 7:20 – Mbledhja solemne e Qeverisë (Ndërtesa e Qeverisë)
  • 7:30 – Nderime te Monumenti i të Pagjeturve (Sheshi “Ibrahim Rugova”)
  • 7:35 – Homazhe te Pllaka Përkujtimore e Fëmijëve të Vrarë (Oborri i Presidencës)
  • 8:00 – Homazhe te varri i ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova (Varrezat në Velani)
  • 8:10 – Homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi (Varrezat në Velani)
  • 9:00 – Homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” (Prekaz)
  • 10:30 – Seancë solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës
  • 11:25 – Nderime te Monumenti Heroinat (Rruga “Luan Haradinaj”)
  • 11:30 – Parakalimi i Trupave të FSK-së dhe Policisë së Kosovës (Rruga “Luan Haradinaj”)
  • 17:30 – Pritje shtetërore nga Presidentja, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri
  • 20:00 – Koncert solemn i Filharmonisë së Kosovës (Salla e Kuqe – Pallati i Rinisë)