Japonia mbështet xhudon kosovare – nënshkruhet grant për përmirësimin e kushteve në klubet rajonale

Japonia mbështet xhudon kosovare – nënshkruhet grant për përmirësimin e kushteve në klubet rajonale

Federata e Xhudos e Kosovës dhe Ambasada e Japonisë në Kosovë kanë nënshkruar sot grantin për projektin “Përmirësimi i mjediseve të stërvitjes në klubet e xhudos në qytetet rajonale të Kosovës”, në kuadër të programit GCGP.

Përmes këtij granti do të mbështetet avancimi i kushteve të stërvitjes në tre dojo të klubeve rajonale. Projekti parasheh furnizimin me pajisje moderne të xhudos dhe mjete për përgatitje fizike, me synim ngritjen e standardeve dhe zhvillimin e mëtejshëm të sportit.

Nga Federata u vlerësua se investimi përfaqëson një hap të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve të klubeve dhe për mbështetjen e brezave të rinj të xhudistëve. U theksua se përmirësimi i infrastrukturës është thelbësor për ruajtjen e nivelit konkurrues të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Federata falënderoi Ambasadën e Japonisë për partneritetin dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke nënvizuar se bashkëpunimi mes dy vendeve po sjell rezultate konkrete edhe në fushën e sportit.