Rina Lipa debuton si autore dhe aktore me filmin e shkurtër “Weight of Ribbons”

Rina Lipa debuton si autore dhe aktore me filmin e shkurtër “Weight of Ribbons”

Rina Lipa, aktore, valltare dhe krijuese e re në skenë, ka publikuar projektin e saj të parë si skenariste dhe protagoniste me filmin e shkurtër “Weight of Ribbons”  një histori thellësisht personale që eksploron identitetin, ndryshimin dhe rritjen.

Projekti shënon një hap të rëndësishëm në karrierën e 24‑vjeçares, e cila ka marrë vëmendje jo vetëm për emrin e saj, por edhe për talentin dhe vizionin artistik.

“Weight of Ribbons” një reflektim gjysmë-autobiografik mbi baletin, rritjen dhe ndjekjen e ëndrrave që nuk zhvillohen gjithmonë sipas planit, është i disponueshëm online dhe debutoi pasi ishte shfaqur për herë të parë në një event privat për komunitetin e kinemasë në Everyman Cinema në Londër. Pas premierës, motra e saj, këngëtarja Dua Lipa, shprehu publikisht krenarinë dhe mbështetjen e saj në rrjetet sociale, duke inkurajuar fansat të shikojnë filmin.

Në këtë film, Rina jo vetëm që luan rolin kryesor, por gjithashtu ka shkruar vetë skenarin, duke e bërë “Weight of Ribbons” debutimin e saj zyrtar si autore dhe aktore. Projekti u realizua nën drejtimin e Louis Melvyn, duke kombinuar elemente të vallëzimit, emocionit dhe narrativës filmike në një strukturë vizuale të pasur dhe moderne.

Tema qendrore e filmit fokusohet në një vajzë të re që përpiqet të balancojë pasionin për baletin me jetën e përditshme, por së fundmi humbet lidhjen me atë passion, duke u përballur me ndjenjat e identitetit, izolimit, ndryshimit dhe zhgënjimit. Filmi përdor vallëzimin, lëvizjen e trupit, kostumet dhe monologun emocional për të sjellë në ekran këtë rrëfim introspektiv.

Bazuar pjesërisht në përvojat personale të Lipës me baletin dhe artet performuese, “Weight of Ribbons” shfaq një qasje emocionale dhe artistike që sfidon format tradicionale, duke sjellë një përvojë filmi që ndikon te audienca më shumë se vetëm me narrativën e saj.

Ky projekt përfaqëson një hap të ri për Rina Lipën — nga adhurimi i publikut si motra e një ylli botëror deri te ndërtimi i një identiteti të saj artistik në industrinë e filmit, ku ajo shfaqet si talent i shumëanshëm, me potencial për projekte të mëtejshme filmike dhe krijuese.