Hyn në fuqi marrëveshja Kosovë-Itali: Ndalet tatimi i dyfishtë për qytetarët dhe bizneset
Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali ka njoftuar se ka hyrë në fuqi marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Italisë për eliminimin e tatimit të dyfishtë, parandalimin e evazionit fiskal dhe shmangies së tij. Kjo do të thotë se qytetarët dhe bizneset nuk do të paguajnë më dy herë tatim për të njëjtat të ardhura, qoftë në Kosovë, qoftë në Itali.
Sipas njoftimit të Ambasadës, tatimi i paguar në një shtet njihet si kredit tatimor në shtetin tjetër, duke aplikuar rregulla të qarta për paga, profesione të lira, biznese dhe pensione, të cilat tatohen vetëm në shtetin e rezidencës. Marrëveshja parashikon gjithashtu përjashtime për studentë dhe praktikantë që qëndrojnë për studim apo trajnim, si dhe norma më të favorshme për dividendë, interesa dhe honorare.
Për qytetarët dhe investitorët, kjo marrëveshje sjell siguri juridike më të madhe, duke lehtësuar lëvizjen e kapitalit dhe punësimin ndërkufitar, dhe duke krijuar një mjedis më të favorshëm për bashkëpunim ekonomik ndërmjet dy vendeve.