Bëhu ambasadore për një ditë: Thirrja e hapur për vajzat e Kosovës

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka hapur thirrjen për vajzat e moshës 14 deri 18 vjeç, që të bëhen “Ambasadore për një ditë”. Ky program i veçantë u jep pjesëmarrëseve mundësinë të njihen nga afër me punën e një ambasade, të mësojnë rreth diplomacisë dhe të kontribuojnë me idetë e tyre për një botë më të mirë dhe paqësore.
Aplikimet pranohen deri më 13 shkurt 2026 dhe mund të dërgohen si video deri në 2 minuta ose shkrim i shkurtër deri në 250 fjalë, në adresën e emailit të Ambasadës Britanike: britishembassy.pristina@fcdo.gov.uk. Përveç aplikimit, vajzat duhet të plotësojnë edhe formularin e aplikimit dhe të sigurojnë pëlqimin e prindërve ose kujdestarit ligjor.
Programi inkurajon veçanërisht aplikime nga komunitetet jo-shumicë, duke siguruar një mundësi të hapur dhe gjithëpërfshirëse për të gjitha vajzat e Kosovës që duan të përjetojnë një ditë në rolin e ambasadores.