Mozaiku i Tiranës, në garë për “Ndërtesa e Vitit 2026”

Mozaiku i Tiranës, në garë për “Ndërtesa e Vitit 2026”

Revista e njohur e arkitekturës ArchDaily ka përfshirë Mozaikun e Tiranës në nominimet për çmimin “Ndërtesa e Vitit 2026”.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja bëri me dije lajmin, ndërsa tha se ky monument është një ndërthurje mes ruajtjes së trashëgimisë arkeologjike dhe arkitekturës bashkëkohore.

Sipas Gonxhes, ky nominim e pozicionon Tiranën në skenën ndërkombëtare të arkitekturës si një shembull i dialogut mes historisë dhe së tashmes.

Mozaiku i Tiranës daton që prej shek. III dhe është zbuluar në vitet ’70 të shekullit të kaluar gjatë punimeve për ndërtimin e një blloku pallatesh.

Mozaiku i Tiranës është një hapësirë e re moderne që shërben si platformë për prezantimin e mozaikëve më të rëndësishëm, ndërsa po kthehet në një destinacion të rëndësishëm kulturor për Tiranën.

Në kushte optimale konservimi dhe përmes programeve edukative me fëmijët e të rinjtë, kjo hapësirë vjen si një dritare e re e interpretimit bashkëkohor të trashëgimisë sonë arkeologjike.

Kjo godinë, përpos historikut të saj, shërben edhe si pikë informacioni vizuale për të gjithë mozaikët që mbart nëntoka e pasur arkeologjike shqiptare.