Bahamas njeh Kosovën si shtet të pavarur

Republika e Kosovës ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Komonuelthi i Bahamas e ka njohur zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, duke u bërë shteti i 121-të që e njeh vendin tonë.
Lajmi u konfirmua nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila njoftoi se njohja është finalizuar përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje dypalëshe në kryeqytetin e Bahamas, Nassau, së bashku me Kryeministrin e Bahamas, Philip Davis.
Në kuadër të ceremonisë zyrtare, dy shtetet nënshkruan Marrëveshjen e Përbashkët për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, e cila riafirmon respektin për sovranitetin dhe barazinë mes shteteve, si dhe angazhimin për bashkëpunim paqësor. Dokumenti parasheh edhe hapjen e rrugës për bashkëpunim në fusha të ndryshme, përfshirë tregtinë, turizmin, arsimin, kulturën dhe teknologjinë. Marrëveshja ka hyrë menjëherë në fuqi.
Presidentja Osmani e cilësoi këtë njohje si një vendim historik, duke theksuar se ajo forcon më tej subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe zgjeron rrethin e shteteve mike të ndërtuara mbi vlerat e lirisë, sovranitetit dhe bashkëpunimit.
Ndërkohë, Kryeministri në detyrë Albin Kurti vlerësoi se viti 2025 po shënohet si vit i njohjeve të reja, duke nënvizuar se Kosovës po i shtohen miqësi dhe mundësi të reja bashkëpunimi në skenën ndërkombëtare.
Gjatë vitit 2025, para Bahamas, Kosovën e kanë njohur edhe Kenia në muajin mars dhe Sudani në muajin prill, ndërsa Siria u bë njohja e tretë e këtij viti, dy muaj më parë. Këto zhvillime shënojnë një rikthim të ritmit të njohjeve, pas një pauze disa vjeçare, pasi njohja e fundit para vitit 2025 kishte ndodhur në vitin 2021, kur Kosovën e njohu Izraeli.
Rritja e numrit të njohjeve konsiderohet një sinjal pozitiv për pozicionin ndërkombëtar të Kosovës dhe për përpjekjet e saj diplomatike për konsolidimin e shtetësisë në arenën globale.