Hamza në Prizren: “Gardë Kombëtare sipas standardeve të NATO-s dhe zhvillim ekonomik për çdo qytetar”

Hamza në Prizren: “Gardë Kombëtare sipas standardeve të NATO-s dhe zhvillim ekonomik për çdo qytetar”

Në hapje të fushatës elektorale për zgjedhjet e 28 dhjetorit, kryetari dhe kandidati për kryeministër nga PDK, Bedri Hamza, prezantoi në Prizren programin qeverisës që fokusohet te zhvillimi ekonomik, mirëqenia e qytetarëve, arsimi, shëndetësia, drejtësia, mbrojtja dhe politika e jashtme.

Hamza premtoi rritje pagash deri në 50 për qind për mësimdhënësit, mjekët, policët, zjarrfikësit dhe të punësuarit nga buxheti i shtetit. Ai propozoi një sistem tatimor më të drejtë: të ardhurat deri në 400 euro do të jenë pa tatim, ndërsa të ardhurat deri në 800 euro do të tatohen vetëm 8 për qind, duke ulur barrën fiskale mbi qytetarët dhe duke mbështetur bizneset e vogla.

Kandidati i PDK-së foli për projekte të mëdha zhvillimore, përfshirë Stadiumin Olimpik Kombëtar, bursat studentore prej 30 milionë euro në vit, ilaçe falas për të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, çerdhe, qendra kujdesi dhe ndërtimin e gjykatës së punës. Ai premtoi gjithashtu mbrojtje financiare për lehonat, familjet dhe punëdhënësit, si dhe drejtësi të pavarur nga politika.

Në fushën e mbrojtjes dhe politikës së jashtme, Hamza njoftoi krijimin e Gardës Kombëtare të Kosovës sipas standardeve të NATO-s, rifillimin e dialogut strategjik me SHBA dhe synimin e anëtarësimit në NATO, Këshillin e Evropës dhe BE. Ai përfundoi me thirrjen për qytetarët që të votojnë PDK-në, për ta dërguar Kosovën përpara dhe për të krijuar një kapitull të ri stabiliteti.