Feride Rushiti nderohet me Çmimin “European of the Year 2025”

Veprimtarja e njohur Feride Rushiti është vlerësuar me Çmimin “European of the Year 2025”, njohje kjo për angazhimin e saj të qëndrueshëm në mbrojtje të dinjitetit njerëzor.
Për herë të parë pas dhjetë vjetësh, ceremonia e ndarjes së këtij çmimi u shënua nga dhënia e dy vlerësimeve, duke reflektuar një qasje gjithëpërfshirëse ndaj kontributeve që pasqyrojnë vlerat evropiane të të drejtave të njeriut, drejtësisë dhe solidaritetit.
Njëri nga këto çmime iu nda Feride Rushitit, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e KRCT – Kosova Rehabilitation Centre for Torture Victims dhe kandidate për Çmimin Nobel për Paqen 2025. Vlerësimi është përkushtim ndaj punës së saj të gjatë në rehabilitimin e të mbijetuarve të torturës, viktimave të luftës, refugjatëve, të riatdhesuarve dhe azilkërkuesve në Kosovë, siç raporton albinfo.ch.
Në fjalën e saj të mirënjohjes, Rushiti theksoi se çmimi përtej dimensionit individual, përfaqëson një rrugëtim të përbashkët institucional dhe njerëzor:
“Ky çmim është një vlerësim për mua, por mbi të gjitha është një dëshmi e rrugës sonë të përbashkët, e përkushtimit dhe e punës së palodhur të kolegeve dhe kolegëve tanë pranë të mbijetuarve,” tha ajo.
Rushiti ia dedikoi këtë mirënjohje grave, vajzave dhe burrave që i mbijetuan dhunës së luftës, duke nënvizuar se zëri dhe dinjiteti i tyre përbëjnë kujtesën kolektive dhe ndërgjegjen morale të shoqërisë kosovare. Ajo falënderoi gjithashtu European Union in Kosovo për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke e cilësuar si thelbësore për forcimin e standardeve të të drejtave të njeriut dhe shërimin shoqëror afatgjatë.
Çmimi i dytë iu nda Perspektivës Rinore, studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, të cilët përmes pjesëmarrjes në gara ndërkombëtare të gjyqeve simuluese promovojnë sundimin e ligjit, drejtësinë dhe barazinë, duke përfaqësuar Kosovën në forume akademike ndërkombëtare.
Të dy vlerësimet u përcaktuan përmes votimit publik dhe synojnë të nxjerrin në pah rolin e individëve dhe institucioneve që përmes punës së qëndrueshme dhe profesionale avancojnë vlerat evropiane dhe forcojnë besimin në drejtësi, solidaritet dhe dinjitet njerëzor. Ceremonia u perceptua si një moment reflektimi institucional, që lidh kujtesën historike me përgjegjësinë e së tashmes dhe vizionin evropian për të ardhmen e Kosovës.